Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka bërë të ditur se me 21 dhjetor (e martë) këshilli qendror grevist do të mbajë grevë 24-orëshe në të gjitha institucionet publike shëndetësore lidhur me pakënaqësitë e tyre për mosmiratim të Projektligjit të pagave.
“Këshilli Drejtues i FSSHK-së në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur unanimisht që ti hap rrugë dialogut social duke iu adresuar edhe njëherë krerëve institucional sikurse Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Punëve të brendshme dhe administratës, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale si dhe Komisionit për buxhet dhe financa, me të vetmen kërkesë, diskutimin dhe nxjerrjen e konkluzioneve të përbashkëta për Projektligjin e Pagave”, thuhet në komunikatë.
Këshilli drejtues i FSShK-së ka thënë së mirëpret nga të lartpërmendurit zhvillimin e takimeve më së largu deri të hënën më 20 dhjetor 2021.
Nga Këshilli Drejtues i FSSHK-së thanë që artikulimi i kërkesave legjitime të punëtorëve shëndetësorë është i prerë dhe i qartë, por edhe vigjilent para një situate tejet të rënduar të institucioneve shëndetësore me trajtimin e pacientëve pas përhapjes së gripit sezonal dhe mbingarkesën e punëtorëve shëndetësorë.
“Trajtimi me seriozitet dhe përparësi i këtyre kërkesave do të jetë kruciale për vazhdimin e veprimeve sindikale”, thuhet më tutje në komunikatë.
Disa ditë më parë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka protestuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre për mosmiratimin e Projektligjit të pagave për sektorin publik si dhe implementimin e Ligjit për pagat në buxhetin e vitit 2022.