Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Frakturat e kockave dhe ndihma urgjente paraspitalore

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë

Me frakturë ose thyerje nënkuptojmë ndërprerjen e tërësisë ose integritetit të kockës kështu që kocka është e ndarë në dy ose më shumë pjesë.

Klasifikimi

Sipas shkaktarit, frakturat ndahen në patologjike (spontane) dhe traumatike.

Thyerjet patologjike shfaqen spontanisht pas proceseve patologjike në kocka të cilat shpijnë në dëmtimin dhe dobësimin e strukturës pasi që procesi vazhdimisht dhe përgjithmonë e dëmton indin kockor.

Ndonjëherë te këta të pacientë, vetkontraksioni i muskujve mund të shkaktojë thyerjen.

Proceset patologjike në kocka mund të jenë:

a. pasojë e sëmundjeve të lindura të skeletit: osteogenesis imperfecta, fragilitas ossium,
b. sëmundje metabolike të skeletit: fibrosa osteitis cystica localisata et generalizata, osteomalacia, osteoporosis,
c. tumoret malinje të kockave,
d. tuberkulozi i kockave,
e. osteomielitis,
f. sëmundjet venerike (sifilisi).

Thyerjet traumatike ndodhin pas veprimit direkt ose indirekt të forcës mekanike e cila e tejkalon kufirin e elasticitetit të kockës.

Shkaktarët e thyerjeve janë rëniet nga lartësitë, ndrydhjet, goditja me mjete topitëse, lëndimet me mjete të mprehta dhe armët e zjarrit.

Në varësi nga veprimi i forcës mekanike thyerjet mund të jenë:

▪ direkte, kur forca mekanike vepron direkt në kocka dhe shkakton dëmtimin e lëkurës dhe indeve të buta në vet vendin e veprimit të forcës dhe kocka thyhet njëkohësisht në dy ose shumë pjesë,

▪ indirekte, kur forca mekanike vepron në largësi nga vendi i lëndimit, ndërsa përcjellja e kësaj force shkakton frakturën e kockës. p.sh. rënia në krahë ose shuplakë shkakton thyerjen e klavikulës (urëzës).

Llojet e frakturave të kockave të gjata në ekstremitete

Mekanizmi direkt i frakturave

Në vartësi nga mënyra e veprimit dhe forca goditëse i dallojmë:

▪ Fisurat ose thyerjet jo të plota në formë të pëlcitjeve të cilat më së shpeshti ndodhin të fëmijët, pasi që te ata, kocka është mjaft elastike, ndërsa periosti i trashë dhe rezistent ndaj forcës vepruese dhe ndodhë fisura, e ashtuquajtura frakturë subperiostale.

▪ Fraktura impresione ndodhin kur forca vepron drejtpërdrejtë në kockë, përveç çarjes (pëlcitjes) së kockës pjesët tjera shtypin indet e buta. Ky lloj i thyerjes është karakteristikë për thyerjet e kafkës (kockave të kokës). Ngjashëm ndodhë kur shtypet topi nga masa plastike, ajo në vend të shtypjes qahet ose groposet.

▪ Thyerjet shpuese (penetrante) ndodhin kur projektili nga arma e zjarrit godet në kockë. Projektili shkatërron indet e buta dhe e thyen kockën. Pamja dhe madhësia e kockës së thyer varet nga formati dhe kalibri i projektilit, energjisë kinetike dhe strukturës së kockës.

Thyerjet e kockave kanë një madhësi jo të rregullt dhe komunikative. Frakturat komplete karakterizohen me linjën e frakturës e cila kalon nëpër krejt tërësinë e kockës, kështuqë e ndan atë në dy pjesë ose kur ngjan thyerja në dy vende (frakturë e dyfisht), kocka do të ndahet në tri pjesë. Përveç frakturës vjen gjer te ndryshimi i profilit të ekstremitetit.

Tërheqja (tractio) ngjan kur njëkohësisht dy forca paralele në drejtime të kundërta veprojnë dhe këto forca shkëpusin një pjesë të kockës prej bazës, ndërsa pjesa tjetër e kockës mbetët si pjesë përbërëse e artikulacionit.

Rrotullimi (torsio) ndodhë në frakturat spirale të kockës, pas veprimit kontralateral i cili njëkohësisht tregon drejtimin e veprimit të forcës.

Frakturat e mbyllura të kockave

Te frakturat e mbyllura (fractura tecta), lëkura në vendin e thyerjes nuk është ndërprerë, për këtë arsye ka karakter të lëndimit të mbyllur ku lokalisht në vendin e lëndimit ekziston kontuzioni, gjaku dhe edema.

Lëndimet nuk kanë karakter të plagës, pjesët e thyera të kockës nuk janë në kontakt me ambientin e jashtëm, shih për këtë përjashtohet mundësia e infeksionit primar.

Frakturat e hapura të kockave

Thyerjet e hapura (fracturat aperta) i karakterizon plaga ku kocka komunikon me ambientin e jashtëm.

Çdo herë ekziston ndërprerje e tërësisë së lëkurës, qoftë për shkak të veprimit të forcës, eventualisht fragmenti i thyer i kockës ndërpret tërësinë (kontinuitetin) e lëkurës.

Këto janë thyerje të komplikuara, pasi për shkak të qarjes së lëkurës nga lëndimi i indeve të buta depërtojnë mikroorganizmat nga ambienti i jashtëm në plagë. Pasojat e thyerjes janë të mëdha, dëmtimi i indeve të buta, enëve të gjakut, limfës, nervave dhe indeve muskulore.

Fragmentet e kockës së thyer tërhiqen anash dhe gjerësi (ad latus), ndodhë rrotullimi i kockës-rotatio, gjegjësisht dislocatio ad peripherium, lëvizja e fragmentit të kockës mund të jetë edhe nga boshti (gjatësia) ad longitudinem-cum elongationem ose cum breviationem.

Kur ndodhë ndërprerja e kontinuitetit të kockës, funksioni është çrregulluar, një grup i muskujve shkurtohet dhe vjen gjer te dislokimi i fragmenteve. Më vonë, fragmentet ngacmojnë muskujt, madje mund të ngjajnë lëndime të mëvonshme, me kët gjendja lokale edhe më tej përkeqësohet.

Vendosja joadekuate e transportit imobilizues ngacmon muskujt dhe përkeqëson statusin lokal në vendin e frakturës. Para frakturave të kockave mund të lëndohen enët (vazat) arteriale, venoze të gjakut dhe nervat periferik.

Është i domosdoshëm dhe me kohë reparacioni adekuat anatomik, pasi që lëndimet e pavërejtura të pa sanuara të enëve të gjakut dhe nervave shpijnë në komplikime të rënda – gangrena, gjegjësisht paraliza të ekstremiteteve.

Tip i frakturës së mbyllur dhe të hapur në pjesën mediale të ulnes dhe radiusit

Shenjat klinike dhe metodat diagnostike të frakturave

Diagnoza e frakturës së kockës vendoset në bazë të anamnezës, ekzaminimit klinik dhe radiologjik.

Anamneza e kujdesshme, pyetet pacienti se si ka ndodhë lëndimi dhe cilat janë ankesat, plotësohen me ekzaminimin e gjendjes së përgjithshme, pasi që përveç thyerjes, mund të ekzistojnë edhe lëndime të organeve tjera.

Gjatë ekzaminimit mjeku konstaton: ndryshimet anatomike të pozitës së ekstremitetit të lënduar dhe vërejmë me kujdes mos ka ndodhur dislokacioni i kockës së lënduar.

Konstatojmë ndjeshmërinë e pjesës së lënduar të trupit në qetësi. Palpacioni jep të dhëna për dhimbjen dhe abnormalitetin e lëvizjes së ekstremiteteve. Kocka duhet të palpohet përtej vendit të frakturës, duke ju afruar vendit të frakturës, pacienti do të ankohet në dhembje gjithnjë më të mëdha.

Duhet të përshkruhen deformitetet të cilat ndodhin për shkak të hematomës dhe edemes traumatike në vendin e frakturës. Pjesa e lënduar ka tjetër formë në raport me pjesën e shëndoshë të trupit.

Hulumtojmë shkurtimet të ekstremiteteve pas lodhjes (mbingarkesës) së pjesës së thyer të kockës.

A është e mundshme lëvizshmëria aktive e ekstremiteteve, gjegjësisht pjesëve të lënduara të trupit?

Ekzaminohet lëvizja abnormale e kockave e cila është shenjë e sigurt e frakturës, kur është e thyer vetëm një pjesë prej kockave paralele të cilat janë në lidhje reciproke (tibia, fibula, metakarpalet) lëvizshmëria konstatohet në vendin e thyerjes së kockës.

Gjatë lëvizjes së fragmenteve lajmërohet krepitacioni, kërcitja e kockave të thyera, mirëpo nuk preferohet që gjatë ekzaminimit të kërkojmë krepitacionet me qëllim të vendosjes së diagnozës, pasi që tërheqja e fragmenteve të kockës mund të sjell gjer te lëndimet sekondare të indeve të buta dhe enëve të gjakut.

Rekomandohet kur ka mundësi në kushte ambulantorike para transportit të bëjmë një incizim rëntgenologjik.

Komplikimet e frakturave

A. Komplikacionet lokale përcjellin çdo frakturë, kryesisht lëndohen vazat e gjakut (të mëdha ose të vogla) që varet nga lokalizimi i frakturës, mekanizmi i lëndimit dhe forca goditëse e veprimit.

Gjakderdhjet e vogla, ekhimozat, nuk numërohen si komplikacione lokale, mirëpo gjakderdhjet më të mëdha lokale në formë të hematomave të mesme dhe të mëdha, vështirësojnë repozicionin e fragmenteve dhe vet procesin e shërimit dhe formimit të kallusit. Dëmtimi i nervave periferik paraqitet pas presionit të fragmenteve të kockës në nerv, kontuzionit ose ndërprerjes së kontinuitetit të vet nervit.

Infeksioni lokal më i shpeshtë, lajmërohet te thyerjet e hapura.

B. Komplikacionet e përgjithshme: janë shoku traumatik, mundësia e lajmërimit të embolisë yndyrore dhe trombozës sekondare në enët venoze, me çka shkaktohet infarkti dhe embolia e mushkërive.

Ndihma urgjente mjekësore paraspitalore

Dhënia e ndihmës së parë mjekësore në vendin e aksidentit ose fatkeqësisë dhe transporti komod i të lënduarit deri në institucionin kirurgjik, janë detyra fillestare të mjekut që punon në shërbimin e urgjencës.

I lënduari duhet të jetë i përgatitur për transport, patjetër t’i evitojmë traumatizmet e mëvonshme, dislokacionet e fragmenteve dhe mundësinë e zhvillimit të shokut postoperativ, gjakderdhjeve dhe infeksioneve sekondare.

Pas një kontrolli orientues dhe vendosjes së diagnozës punuese, jepet ndihma e urgjente.

Në frakturat e mbyllura ndihma e urgjente jepet në këtë mënyrë:

▪ nëse nuk janë të lënduara koka dhe abdomeni, por vetëm ekstremitetet, jepen preparate analgjetike me rrugë intramuskulare ose intravenoze,

▪ pjesa e lënduar të imobilizohet me mjete manuale ose longeta standarde të cilat mundësojnë transportin deri në institucionin kirurgjik më të afërt.

Veprimet për imobilizim me shami trekëndëshe te dyshimet e frakturës së gjymtyrës së sipërme

Gjatë transportit kontrollohet imobilizimi i vendosur, ekstenzioni dhe funksionet vitale, në rast se keqësohet gjendja e përgjithshme e të lënduarit reagohet me terapi adekuate.

Me mbërritjen e të lënduarit në repartin ortopedik-traumatologjik, hiqet imobilizimi në sallën operative ose në dhomën ku hiqet gjipsi ku gjithçka përgatitet për repozicion anatomik në thyerjet e kockave.

Te frakturat e hapura, elementare në dhënien e ndihmës urgjente është ndalja e gjakderdhjes me metodat e përkohshme të hemostazës.

Për të parandaluar infeksionin sekondar, plaga duhet të mbrohet me gaza mbrojtëse. Fasha e parë në luftë vendoset nga vet ushtari, vetëndihma ose vendos ushtari tjetër i cili e njeh teknikën e vendosjes (ndihma reciproke, shoku-shokut). Në kushtet e paqes në vendndodhje, fashën e parë e vendos personeli shëndetësor ose personi i cili e njeh tekniken e vendosjes.

Pas vendosjes së fashës së parë mbi plagë, bëhet imobilizimi transportues. Varësisht nga pasqyra klinike dhe gjendja e të lënduarit, zbatohen masat e reanimacionit me qëllim që pacienti të aftësohet për transport deri në institucionin shëndetësor.

Rekomandohet transporti me autoambulancë dhe kujdesi nga ekipi i shërbimit të urgjencës, duke zbatuar, kontrollin e funksioneve vitale, imobilizimin, hemostazën gjer në institucionin kirurgjik-ortopedik.

Këto veprime parandalojnë shfaqjet e komplikacioneve, mundësojnë shërim të suksesshëm dhe prognozë më të mirë. /Telegrafi/

Youtube

Arkiva

Kategoritë