Artriti reumatoid është një sëmundje autoimune që shkakton inflamacion kronik të artikulacioneve. Sistemi imunitar (antitrupat) në mënyrë të pashpjegueshme sulmon membranën e artikulacioneve duke shkaktuar inflamacion të membranës sinoviale. Inflamimi, më pas shpërndahet në gjithë nyjën dhe mund të dëmtojë kërcin.
Njerëzit që jetojnë me artrit reumatoid thjesht duhet të përgatiten për ngjarjet që lidhen me pushimet pak më ndryshe se ata që jetojnë pa dhimbje ose sëmundje. Reumatologu, Dr. Fidan S. Berisha ka dhënë disa këshilla të dobishme për këto festa të fundvitit ndaj personave që vuajnë nga kjo sëmundje, duke filluar nga kujdesi gjatë udhëtimeve.
“Një gjë që mund të jetë stresuese për njerëzit me artrit gjatë pushimeve dimërore është udhëtimi. Një këshillë e rëndësishme është të hipni në aeroplan si dhe të kryeni obligimet dhe përgatitjet e fundvitit (blerjen e dhuratave) sa më shpejt dhe më herët që të jetë e mundur. Kërkoni ndihmë për bagazhet kur ju nevojitet. Sillni një jastëk për rehati në aeroplan nëse jeni duke fluturuar Kur udhëtoni me makinë, bëhuni sa më rehat që të jetë e mundur, duke u ndalur shpesh për pushime shtrirjeje. Asnjëherë mos shfrytëzoni gjithë ditën pa pushuar duke kërkuar për blerjen e dhuratat për të afërmit, çdoherë pas një ore apo dy, uluni për të pushuar apo për të pirdhe nje kafe apo dhe vetëm një gotë ujë”, këshilloi Berisha
Mbështjellja e dhuratave është një tjetër pikë e vështirë për njerëzit që jetojnë me artrit reumatoid sipas Dr.Berisha, zgjedhja e opsioneve më të lehta për mbështjelljen e dhuratave e bënë më pak të dhimbshëm këtë proces.
“Nëse dhuratat duhet të mbështillen, shikoni nëse dyqani ose qendra tregtare ofron shërbime të mbështjelljes së dhuratave. Një opsion është të shkoni me çese dhuratash shumëngjyrëshe në vend të letrës së ambalazhit Ose, kërkoni nga një mik ose nga ndonjë fëmijë që t’ju ndihmojë me mbështjelljen. Nëse nuk keni problemin financiar, atëherë Shikoni për disa nga kompanitë private që ofrojnë ambalazhimin apo mbështjelljen e dhuratave për një çmim simbolik. Ju gjithashtu mund të përdorni gërshërë të përshtatshme për artritin”, tha Berisha për familjajonë.
Dr. Berisha rekomandon kujdesin për vetën si pjesën më të rëndësishme të kësaj periudhe festash për personat që vuajnë nga artriti.
“Gjeni kohë për veten tuaj, edhe nëse jeni duke vizituar miqtë dhe familjen. Uluni pranë zjarrit dhe shijoni një filxhan çaj bimor, jeshil apo dhe kamomili. Kënaquni me një dush me avull ose një banjë të nxehtë. Shpërndani vajrat esencialë tuaj të preferuar aromatikë. Rezervoni një seancë masazhi ose akupunkture. Hidhni losionin tuaj të preferuar të trupit. Praktikoni joga – frymëmarrjen e thellë ndërsa përqendroheni te mirënjohja”, rekomandoi ai.
Festave të fundvitit normalisht që nuk ju mungon blerja, më e rëndësishmja sipas Reumatologut është përdorimi i mjeteve ndihmëse gjatë zhvillimit të këtij procesi.
“Vishni çdo mbajtëse ndihmëse që mund t’ju nevojitet (për kyçin e dorës, këmbët ose gjurin). Uluni kur të keni nevojë. Përdorni një karroqe (mbështetëse), skuter ose karrige me rrota nëse është e nevojshme. Parkoni në vendet e aksesueshme të parkimit, sa më afër hyrjes në qendrën tregtare nëse keni një vend parkim. Evitoni përdorimin e shkallëve, përdorni shkallët lëvizëse ose ashensorin në dyqane ose qendra tregtare nëse ato janë të disponueshme. Kërkojini punonjësit të dyqanit, shokut, fëmiut ose bashkëshorti që t’i çojë çantat tuaja në makinë për ju. Gratë duhet të mbajnë një çantë dore që nuk është shumë e fortë në kyçet e dorës ose supet”, tha Berisha.
Ndonjëherë, festimet e fundvitit, drekat, darkat dhe mbledhjet e festave mund të jenë burim stresi dhe, shpesh, dhimbje fizike, Dr. Berisha këshillon që gjatë planifikimit të një feste të mos i bëni të gjitha vetë.
Nëse mund të përballoni një shërbim pastrimi, punësoni shërbyese për t’ju ndihmuar të përgatitni shtëpinë. Ose, kërkoni nga anëtarët e familjes ose bashkëshorti juaj t’ju ndihmojë në pastrimin dhe gatimin. Nëse jeni duke pritur, mos harroni të uleni kur të keni nevojë dhe mos harroni të hani. Merrni medikamentet tuaja në përputhje me rrethanat dhe mbani në dispozicion analgjetik (qetësues dhimbjesh) pa recetë. Nëse jeni mysafir në një festë, kontaktoni mikpritësin ose zonjën para kohe për t’i bërë të ditur se do t’ju duhet një vend për t’u ulur, qëndroni të hidratuar nëse jeni duke pirë alkool dhe sigurohuni paraprakisht, duke u konsultuar me reumatologun tuaj”, këshilloi ai.
Shkrimi i kartolinave dhe urimi për festat mund të jetë i mundimshëm, të shkaktojë dhimbje kyçesh si dhe lodhje, por sipas Berishes ka edhe opsione më të lehta për ta bërë këtë, duke i porositur kartolinat ose duke i dërguar ato në mënyrë elektronike.
“Nëse po kërkoni dhurata për dikë me artrit reumatoid, ka shumë udhëzues dhuratash miqësore për artritin në internet. Disa opsione mund të përfshijnë jastëkë ngrohjeje, jastëkë rehati, pantofla ergonomike, kremra për qetësimin e dhimbjeve, çaj anti-inflamator dhe kuti për mbajtjen e tabletave. Një dhurim i bërë për një organizatë artriti apo qendër trajtuese dhe menagjuese, në emër të një personi të dashur është gjithashtu një gjest i këndshëm gjatë festave”, rekomandoi Dr.Berisha.
Për fund, Reumatologu, Dr. Fidan S. Berisha ua uroi festat personave me artrit dhe i këshilloi që të jenë më të lehtë me vetën, mos të harrojnë kujdesin ndaj vetës dhe të përpiqen aq sa munden për një festë me sa më pak dhimbje dhe plot gëzim e hare.