Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Federata Evropiane: Kosova me më së shumti vrasje të pandëshkuara të gazetarëve në Evropë

Ndërsa numri i gazetarëve të vrarë në Evropë ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar, numri i rasteve të mosndëshkimit për vrasje vazhdon të rritet. Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) aktualisht ka 48 krime të pandëshkuara në 13 vende.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, EFJ u bën thirrje shteteve të ndërmarrin veprime konkrete për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për këto krime.

Në Evropë, EFJ thotë se janë 48 vrasje të gazetarëve dhe atentate që kanë mbetur të pandëshkuara: 16 në Kosovë, 7 në Rusi, 6 në Ukrainë, 6 në Turqi, 3 në Serbi, 2 në Greqi, 2 në Azerbajxhan, 1 në Sllovaki, 1 në Maltë, 1 në Mbretëria e Bashkuar, 1 në Qipro, 1 në Mal të Zi dhe 1 në Bjellorusi.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Pandëshkueshmërisë për Krimet kundër Gazetarëve, gjashtë raste të pandëshkueshmërisë iu shtuan listës evropiane të pandëshkueshmërisë më 2 nëntor: Aleh Byabenin (Bjellorusi), Slavko Çuruvija (Serbi), Sokratis Giolias (Greqi), Giorgos Karaivaz (Greqi), Milan Pantiq (Serbi) dhe Yuri Shchekochikhin (Rusi).

EFJ thotë se pothuajse tetë vjet pas miratimit të Rekomandimit të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve, “46 shtetet anëtare kanë qenë të ngadalshme në vendosjen e një kuadri legjislativ gjithëpërfshirës që mund të parandalojë mosndëshkimin dhe t’u sigurojë gazetarëve një fushëveprim të gjerë dhe efektiv mbrojtës”.

“EFJ u kujton vendeve anëtare të Këshillit të Evropës përkushtimin e tyre për të krijuar hetime të posaçme gjyqësore dhe jogjyqësore për raste specifike ose organe të pavarura të specializuara për të kryer hetime të tilla në vazhdimësi”, tha presidentja e EFJ-së, Maja Sever. “Ne bëjmë thirrje që kjo procedurë të vendoset për secilin nga 48 rastet e mosndëshkimit të identifikuara në Evropë. Mosveprimi nga ana e autoriteteve publike do të përbënte bashkëpunim me vrasësit”. /Klankosova.tv

Youtube

Arkiva

Kategoritë