Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
E rritur në jetimore, tashmë studente e dalluar në mjekësi – Historia e rrallë dhe e padëgjuar e Medina Aliut

Mbi përçmimet dhe përbuzjet e thella ndaj saj, ajo mbolli një trung të palëkundur shprese dhe përkushtimi. Rrëshqitja buzë tatpjetës duket që nuk i përkiste, sepse të fortët si ajo gjejnë forcën pikërisht në substratin e vuajtjes. Të fortët gjejnë gjithnjë kurajë.

Është historia e Medina Aliut, 20 vjeçares që arriti t’i shkëputej tej dhimbjes për t’i ndryshuar rrjedhat e jetës. E rritur jetime, në mungesë të nënës dhe babait që nuk i pa asnjëherë, Aliu vendbanim të përkohshëm do e kishte jetimoren. Korridoret mund të bënin zhurmë vetëm nga jehonat e dënesjes, sepse miqësi dhe të afërm nuk priste në vizitë asnjëherë.

Në një intervistë eksluzive për Familja Jonë, Aliu, tashmë një vajzë me perspektivë, ka vendosur ta ritregojë fëmijërinë e përvuajtur të saj, veçse sot më ndryshe: krenare dhe optimiste.

“Une jam rritë në jetimore. Gjithmonë me ka mungu dashnia e prindërve, sepse ata nuk me kanë afru afër vetes me kanë mungu çdoherë fjalët “nanë” e “babë” sepse s’kam pasë kënd ta thërras “nanë” e “babë”.

“Jam rritë rrugëve. Jam keqtrajtu prej dajve, hallave e axhallarve. E kam pas një jetë shumë të keqe, ashtu që çdo mëngjes e lutsha Zotin me ma marrë shpirtin,  por Zoti nuk e pranoi këtë lutje”, shprehet ajo për Familja Jonë.

Një mjedis aspak familjar për Aliun u reflektua edhe në shkollë, mirëpo fakti se ajo ishte rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën e saj, e shtyu atë që të mos zmbrapsej, madje as atëherë kur u detyrua të shiste cigare për të mbijetuar.

“Jam detyru me shitë cigare në rrugë.  Më është rreziku edhe shkollimi, por unë nuk e kam lanë, kam vazhdu,  sepse Zoti ma dha rrugën e drejtë.  S’kam pasë ndihmë prej askujt, vetëm Zoti ka qenë me mua. Prindërit më kanë vdekë. Do doja t’i njihja sepse nuk i kam pa kurrë.  Krejt botën do e jepja që t’i shihja”.

Siç rrëfehet vetë Medina, prindërit e braktisën atë që në lindje. E ndodhur tërësisht vetëm në qorrsokak, ajo duhej t’i bënte mirë llogaritë. Rruga që ajo do e “rrihte” duhej të ishte më e sigurta për jetën dhe karrierën e saj.

Përkundër momenteve të vështira, 20-vjeçarja thekson do i pranonte edhe tani prindërit, po të ishin gjallë.

“Pa marrë parasysh pse prindërit me kanë lanë, unë ua fali. Mjafton që të kishin qenë me mua, por kjo nuk ndodh kurrë, kështu që iu them të gjithë prindërve: Dujini fëmijtë tuaj, mos i lini rrugëve, mos ia ndalni andrrat të cilat ata mundohen me i realizu”.

Ashtu si shpresonte, shkollimi ishte rruga e duhur për një jetë tërësisht të re për të. Përkushtimi i treguar gjatë studimeve iu shpagua Medinës. Ajo tashmë studion në Universitetin e Stambollit në Fakultetin e Mjekësisë, falë një burse që ajo e përfitoi gjatë studimeve në Univeristetin e Prishtinës.

E pyetur nëse e ka ndokënd të afërm që t’ia tregojë sukseset e arritura, Aliu u përgjigj shkurtazi: Jo.

Ajo shtoi se ka dy vëllezër, mirëpo nuk mban fare kontakte me ta sepse, siç thotë ajo, nuk e duan.

Realizimi i ëndrrës për të do të thotë më shumë sesa një arritje në karrierë, do të thotë një shkëputje nga “moçali” i së kaluarës, i cili nuk brumosë asgjë, pos vuajtjeve të panumërta.

Youtube

Arkiva

Kategoritë