Në Komunën e Deçanit në 24 orët e fundit kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta, pas situatës së krijuar, ku po dyshohet që qindra qytetarë u helmuan nga uji. Për dy trupat e pajetë tashmë Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që të bëhet obduksioni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të kuptuar më shumë rrethanat e vdekjes.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se varësisht edhe nga rezultatet do ndërmerren veprimet.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit me ç’rast Prokurori i Shtetit, përkatësisht i Departamentit të Krimeve të Rënda për shkak të situatës së krijuar në atë rajon ka dërguar dy trupat e pajetë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes së dy viktimave[…]Varësisht nga rezultatet e Mjekësisë Ligjore do merren veprimet e mëtutjeshme”, tha Niçki, për KosovaPress.
Ndërsa lidhur me dyshimet për helmim të qytetarëve, Nikçi tha se Prokuroria e Pejës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka ka autorizuar edhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) për të bërë analiza të mostrave të ujit.
“Me të pranuar informatat, Prokuroria Themelore e Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku fillimisht janë autorizuar IKShP-ja për të marr mostrat dhe për të bërë analizat e ujit, ende nuk i kemi rezultate finale. Prokurori i Shtetit dje (e hënë) ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare nëp Deçan, me ç’rast ka biseduar me personelin shëndetësor ku është njoftuar me shqetësimet që kanë qytetarët “, tha ai për KosovaPress.
Ndërsa, që nga e shtuna e deri të hënën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mjekësore 823 pacientë prej të cilëve 428 kanë qenë me simptoma të njëjta, e të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Gjatë së hënës është rritur edhe numri i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë në këtë institucion primar shëndetësor.
Drejtori i QKMF-së “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, Selmon Berisha, tha të hënën se gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është e mirë dhe se janë jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me këtë, konferencë të jashtëzakonshme ka mbajtur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili ka hedhur dyshime që helmimi i ujit ka mundur të bëhet qëllimshëm, kjo meqë kjo po ndodhë për herë të dytë brenda një muaji.
Ramosaj në konferencën e së hënës u shpreh se kanë njoftuar të gjitha organet kompetente për te hetuar këtë rast.
Pasditen e së hënës konferencë për media u mbajt edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar pas dyshimeve se mbi 800 persona janë infektuar në Deçan nga uji i pijes, se mostrat e marra të ujit dhe rezultatet e nxjerra konstatojnë se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standardet evropiane.