Mër, Mar 20, 2024
Banner Top
Banner Top
Drin Bujupi, djaloshi që hijeshoi koleksionin francez me plisin shqiptar

Një gërshëtim kulturash, i paraqitur përmes një koleksioni unik veshjesh, është realizuar së fundi nga dizajneri kosovar, Drin Bujupi. Ky hap, në pamje të parë i guximshëm, duket se ka rezultuar harmonik dhe një fuzionim fantastik në mes të dy kulturave, siç janë ato shqiptare dhe franceze.

Si të menduar ”përtej kutisë” dhe si sistem përzgjedhjeje strikte, përkitazi me atë që synon të pasqyrojë, arti në përgjithësi ka për qëllim të jetë detajist. Siç shprehet edhe vetë Bujupi, “duhet një zhvillim kuptimi i thellë se pse gjërat janë ashtu siç janë, nga vijnë dhe si ka ndryshuar zhvillimi gjatë vitevenë mënyrë që të bëhet një punë unike në këtë drejtim.

Në një intervistë të dhënë për portalin Familja Jonë, Bujupi tregoi më shumë në lidhje me zhvillimin e idesë për punimin e koleksioni të tillë.

“Ideja dhe inspirimi më erdhën nga nje shfaqje e artistit francez, Christian Boltanski,  që e kam pa në muzeun në Pompidou në Paris,  në verën e vitit 2018. Ai kishte mbushur një dhomë plot me kujtime nga jeta e vet dhe ideja ishte që të tregojë se jeta përbëhet nga shumë gjëra të vogla dhe roli i cdo njeriu është të mbledhë sa ma shumë “evidencë” për jetë të jetuar. Dhoma kishte plot kujtime në formën e fotografive, copëza nga faqe të ditareve personalë, nota nga doktori dhe pak a shumë të gjitha momentet(te mirat dhe të keqijat) e një jete të përditshme njerëzore ishin të dokumentuara në një formë ose tjetrën.

Unë kisha lidhje të menjëhershme me këtë ide dhe pata filluar edhe unë t’i mbledh gjërat e vogla nga jeta ime deri më tash dhe e ndjeja që kisha ma shumë kuriozitet dhe tërhekje për të studiuar anën time shqiptare ma thellë.

Kur erdhi koha me e kriju koleksionin përfundimtar ne fakultet, i tregova profesorit që kisha qejf me e realizu ni koleksion personal, ku unë e pozicionoj veten në këtë temë të  Boltanski-t dhe realizoj një koleksion në bazë të gjërave qe kisha mbledhur nga jeta ime”,
theksoi ai.

Tutje, Bujupi shtoi se plisat u siguruan nga disa djem te punishtja “Qeleshpunues Hyseni” në Krujë, ku prej katër plisave të përzgjedhur, dy janë futur në koleksion.

Baza e plisave është krijuar në mënyrë tradicionale nga djemtë te “Qeleshpunues Hyseni” në Krujë. Më kanë ndihmuar dhe m’i kanë dërguar katër copë, ku pastaj unë i kam modifiku që  të përputhen në këtë koleksion.
Plisat i kam provu në mënyra të ndryshme,  si me bojë dhe material për t’i përputhur në koleksion, në fund ishin ata dy që zgjodhëm së bashku me profesorin. Plisi i ngjyrosur me nënshkrimin timin personal dhe i dyti ku e kam mbulu me material me efekt “drapé” dhe e kam përfundu me qepje dore”,
shtoi ai.

Sikurse te shumë krijime artistike, edhe te ky koleksion ngjizet një motiv i brendshëm shpirtëror që simbolizon diçka subjektive të autorit. Bujupi tregon se përmes plisave personifikohet gjyshi i tij, Demush Bujupi. Edhe pse ky i fundit nuk mban plis në kokë, ishte vetë zgjedhja e autorit për ta inkorporuar në këtë formë një person të dashur të jetës së tij.

Për këtë koleksion, Bujupi arriti ta fitonte një çmim, nga një juri profesionale, 20 prej të cilëve ishin me pozita të larta nëpër firma të modës në Paris.

“Cmimi nga juria profesionale ka qenë drejtperdrejt i lidhur me këtë koleksion. Ndihem krenar që ni koleksion i tillë me këtë temë u ka pëlqyer jurisë franceze, që ishin diku afër 20 persona që mbajnë pozita nëpër firma të modës në Paris. Mendoj se bashkëpunimi që kam bërë me artistin Arbër Sefa për realizmin e fotove ka qenë shumë i suksesshëm te juria dhe më ndihmoi në dhënien e konceptit sic e kisha imagjinuar vizualisht”, nënvizoi ai.

Bujupi shpreson që ky koleksion të vlerësohet sa më shumë, pasi, siç thotë ai, ka dhënë maksimumin për një punë të tillë. Ai gjithashtu pranon se një shkrirje e tillë kulturash brenda një koleksioni ka qenë e para për të në karrierë.

Sipas Bujupit, për një dizajner, është me rëndësi të zotërohet një sfond i konsiderueshëm njohurish për evoluimin e modës, në mënyrë që të kuptohet sa më mirë ”pse-ja” e ndryshimeve të caktuara në këtë fushë. Ndërsa, sa i përket risjelljes së modeleve të vjetra brenda koleksioneve, ai thekson se duhet pasur kujdes në raport me kontekstin që përdoret modeli, kësisoj, ai sugjeron që të njihet saktë modeli që synon të përdoret.

Në fund, Bujupi ka edhe disa këshilla për ata që synojnë ta ndjekin rrugën e dizajnerit:

“Pikë së pari, mendoj që duhet të besoni në zërin dhe instinktin tuaj, prandaj duhet të keni një  dozë guximi për të dizajnuar. Dizajneri ose artisti e bën të folurit përmes veprave te tij dhe këto vepra bazohen kryesisht në emocione, përvojë dhe kërkim(research).

Unë rekomandoj që të gjithë që synojnw t’i ndjekin këta hapa ta perdorin kohën e studimeve të tyre në dizajn ose art si një pjesë të vetëvlerësimit. Kjo është koha më e mirë për të kuptuar identitetin tuaj si dizajner apo artist”,
përfundoi ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë