Enj, Tet 21, 2021
Banner Top
Banner Top
Dr.Nderim Salihaj: Rëndësia e diagnostikimit të osteoporozës

Kockat tona janë ato që ruajnë disa organe të trupit tonë (zemrën, trurin), realizojnë lëvizjen, depozitojnë minerale dhe mbajnë në vetvete të ashtuquajturën palcën e kockës vendi ku prodhohen qelizat e gjakut.

Të gjitha këto janë të lidhura me osteoporozën, mirëpo çka është osteoporoza dhe si klasifikohet të gjitha këto i sqaron Dr. Nderim Salihaj i cili është specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë në një intervistë për portalin “Familja Jonë”.

Familja Jonë: Çka është osteoporoza dhe si klasifikohet?

Dr. Nderim Salihaj: Osteoporoza definohet si zvogëlim i masës apo dendësisë kockore gjatë jetës. Ajo konsiderohet si çrregullim sasior dhe jocilësor apo si defekt në mineralizimin e kockës.

Osteoporoza ndahet në:

1.Osteoporoza postmenopauzale (Mosha 50-70 vjeçe) e cila prek vetëm femrat.

2.Osteoporoza e pleqërisë  (mbi 70 vjeç)

Familja Jonë: Pse është me rendësi ta diagnostikojmë osteoporozën?

Dr. Nderim Saliahj: Sepse ekziston rrezik i lartë për thyerje të parakrahut, të kërdhokullave dhe unazave

Familja Jonë: Cilët janë faktorët e rrezikut?

Dr. Nderim Salihaj: Gjinia femërore, mosha e shtyrë, raca kaukaziane, historia familjare pozitive, niveli i ulët i dendësisë kockore në kohën e pikët të dendësisë kockorë (rreth moshës 30 vjeçe), ushqyeshmeria jokualitative, stili i jetës, jeta aktive fizike dhe duhani.

Familja Jonë: Si diagnostikohet osteoporoza?

Dr. Nderim Salihaj: Diagnostikimi bëhet më anë të analizave laboratorike të Vit D dhe kalciumit, radiografisë së thjeshtë, skanimit me DEXA dhe biopsisë kockore.

Familja Jonë: Si manifestohet tek pacientët osteoporoza?

Dr. Nderim Salihaj: Osteoporoza nuk shfaqet me ankesa dhe shenja specifike . Pacientët shfaqin simptoma të përgjithshme si dhimbje të shpinës, zvogëlim të gjatësisë trupore, pozitë të kërrusur dhe në rastet më të rënda fraktura të shpeshta të kockave.

Familja Jonë: Si trajtohet dhe parandalohet osteoporoza?

Dr. Nderim Salihaj: Osteoporoza duhet fillimisht të parandalohet pastaj të trajtohet. Parandalimi arrihet përmes ushqyeshmerisë cilësore, jetës aktive fizike, ekspozimit në rrezet e diellit dhe përdorimit të vitaminave dhe mineraleve që ushqejnë kockat.

Trajtimi është mjaft kompleks dhe arrihet përmes hormoneve seksuale, barnave bisfosfonate dhe marrjes adekuate të vitaminës D dhe kalciumit.

Në rastet kur pacientët paraqiten me thyerje kockorë, trajtimi është me ndërhyrje operative të thyerjeve. /FamiljaJonë/

Arkiva

Kategoritë