Pas një viti kaotik, ku gjendja pandemike (deter) “minoi” shumë procese të rëndësishme për të gjithë shoqërinë, mangut nuk ia la as arsimit. Ndonëse platformat online mundësonin një zëvendësim të mësimit në klasë, këto të fundit nuk ia dolën ta njëjtësonin mbarëvajtjen e procesit mësimor. Shumë pak interaktivitet e mbi të gjitha një improvizim jo i arrirë. Fëmijët po dëmtoheshin nga faktorë objektivë.
Shikuar në tërësi, hapëra në mes të kinse “kujdesit” të qeverive dhe nevojave reale të fëmijëve është rritur dukshëm. Pak kushte e mundësi.
Ndër ata që e vuanin më së shumti këtë pamundësi ishin fëmijët me nevoja të vecanta, të cilët e vuanin jo pak minimizimin e qasjes, sidomos në shkolla. Përkundër që edukimi gjithëpërfshirës nënkupton edhe pjesëmarrjen e kësaj kategorie, modelet e zhvillimit të mësimit në shkollat tona e teknikat e zhvillimit të tij e kërcënojnë jo pak gjithëpërfshirjen. Numri i madh i nxënësve, sidomos në zona urbane, ofron pamundësi atraktiviteti në mes të mësuesit/es dhe gjithë klasës, kësisoj, pos fëmijëve me nevoja të vecanta, edhe fëmijët tjerë hasin vështirësi serioze në nxënie.
Ndërkaq, mjetet me të cilat mësojnë fëmijët, në këtë rast librat, pos që nuk konsistojnë me nivelin e njohurive të fëmijëve dhe lënë shumë për të dëshiruar në aspektin edukativ, janë edhe në shpërputhje totale me kurrikulën e Kosovës. Kohë më parë, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, në një intervistë për Familja Jonë, e ngriti në spikamë pikërisht këtë cështje, duke shtuar se nevoja për rishikimin e teksteve shkollore është e madhe.
Shqetësim për cështjen e ngecjes në procesin arsimor ngriti edhe edukatori, Ilaz Hajra, sipas të cilit duhet shikuar që të bëhen ndryshimet kurrikulare që po ndikojnë shumë në mësimnxënie.
Problemet që janë të pranishme për fëmijët, vecmas për me nevoja të vecanta, dalin edhe përtej “radiusit” të institucioneve shkollore. Raporti i Progresit nga KE, vit pas viti, ua ka tërhequr vërejtjen, specifikisht për kornizën e aplikuar legjislative në raport me këtë kategori, qeverive të Kosovës. Ndonëse në këtë aspekt shihen përmirësime, hapat e ndërmarrë “de jure”, nuk gjejnë zbatim “de facto”.
Hapësirat publike vazhdojnë të mos jenë të qasshme për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara e po ashtu problemet që këta persona kanë sa i përket transportit janë telashe që gëlojnë zëshëm në gërmadhat e një shteti ende në ndërtim e sipër.