Pas akneve mund të “fshihen” një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, ndaj dhe kura për të pastruar lëkurën nga puçrrat, nuk mund të jetë vetëm 1. Stresi, çrregullimet hormonale, prishja e ekuilibrave të baktereve në lëkurë, një dietë e varfër ushqimore, sheqernat, alkooli etj mund të ndikojnë në shfaqjen e akneve dhe vetëm pasi të gjeni rrënjën e problemit, atëherë do mund të kuroheni për t’i eliminuar një herë e përgjithmonë. Megjithatë për trajtimet natyrale kundër akneve kemi shkruajtur shumë në Living ndaj sot do të listojmë disa produkte natyrale që ulin inflamacionin e zbehin skuqjen pasi keni trajtuar puçrrat.
Çaji jeshil
Me vetitë antioksiduese dhe antimikrobike, ekstrakti i çajit të gjelbër mund të pengojë aktivitetin e qelizave që prodhojnë vajin e tepërt të lëkurës. Mjuafton të zieni një filxhan ujë e në të, të zhysni një qeskë çaj jeshil. Pasi të ketë lëshuar ekstraktin lagni një copë të butë dhe bëni kompresa me të. Lëreni në lëkurë për 15 minuta e përsëriteni çdo ditë. Do të shihni se si lëkura d të qetësohet e skuqja do të zbehet gradualisht.
Kamomili
Ekstraktet e kësaj lule mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit që lidhet me puçrrat. Ka dy mënyra për ta provuar këtë metodë: Së pari, kombinoni përmbajtjen e një qeske çaji kamomili me ujë të ngrohtë derisa të formoni një pastë dhe me të lyeni lëkurën. Ose ndiqni metodën e çajit jeshil si më lart.
Aloe Vera
Përveç lehtësimit të djegieve nga dielli, aloe mund të luftojë inflamacionin, të nxisë shërimin dhe të reduktojë shenjat në lëkurë. Për të përfituar maksimalisht nga kjo bimë, është mirë të përdorni direkt xhelin nga bima ! Pasi të prisni një degëzim të bimës e ta ndani në dysh, me ndihmën e një luge merrni xhelin! Aplikojeni direkt në lëkurë e lëreni për disa orë! E mira është të lyeni para se të flini, në mënyrë që të veprojë gjatë gjithë natës. Përdoreni derisa të shihni përmirësime.
Vaji i pemës së çajit (Tea Tree Oil)
Ky vaj esencial antimikrobial zhbllokon gjëndra dhjamore dhe hap poret për të ndihmuar në luftimin e baktereve që shkaktojnë puçrra fytyre. Për shkak se është i gjithi natyral dhe nuk përbëhet nga kimikate si shumë vajra të tjera për puçrra, mund të përdoret sa herë që të doni. Vetëm duhet të dini se mund të thajë lëkurën, kështu që hollojeni me pak ujë e me ndihmën e një pambuku lyeni zonën e përflakur ose me shenja nga puçrrat.