Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Dhimbja e kyçeve: Efekt anësor i shpeshtë pas trajtimit për kancer gjiri

Kur mendon për dhimbjen e kyçeve të shkon mendja te artriti, por edhe pse artriti është shkak i shpeshtë për dhimbjen e kyçeve, ka edhe arsye të tjera që mund të shkaktojnë dhimbjen.

Psh. dhimbja e kyçeve mund të jetë si pasojë e trajtimit për kancer. Ky është një shqetësim veçanërisht i shpeshtë në gratë postmenopauzante me “>kancer gjiri, të cilat marrin trajtim hormonal me inhibitorë të aromatazës.

Inhibitorët e aromatazës përfshijnë letrozolin (Femara), anastrozolin (Arimidex) dhe exemestanin (Aromasin). Të gjitha këto janë një trajtim standard për kancerin e gjirit receptor hormonal pozitiv.

Dr. Kleida Mati
, mjeke onkologe në MIA Clinic thotë se “Këto barna janë shumë efektive në parandalimin e rikthimit të sëmundjes. Por dhimbja e kyçeve është një efekt anësor i shpeshtë, çka i bën gratë që i përdorin të heqin dorë prej tyre ndonjëherë.

Çfarë jane inhibitorët e aromatazës?

Pjesa më e madhe llojeve të kancerit të gjirit janë receptor hormonal – pozitiv. Kjo do të thotë që qelizat kanceroze kanë receptorë që njohin hormonet e estrogjenit dhe progesteronit. Këto hormone lidhen me receptorët e qelizës tumorale dhe kështu hyjnë brenda kësaj qelize, duke nxitur rritjen dhe zhvillimin e saj.

Eliminimi i estrogjenit nga trupi pengon furnizimin e tumorit me ushqyesin kryesor të tij. Pas menopauzës, vezoret e gruas nuk prodhojnë më estrogjen, por një enzimë e quajtur aromatazë, konverton hormonet e prodhuara nga gjëndra mbiveshkore në estrogjen. Inhibitorët e aromatazës bllokojnë veprimin e aromatazës, çka ul nivelin e estrogjenit në trup.

Inhibitorët e aromatazës përdoren kryesisht në dy situata. E para, kur një grua është diagnostikuar me kancer gjiri, i është nënshtruar kirurgjisë dhe më pas merr këtë trajtim për 5 deri në 10 vjet për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.

E dyta, kur një grua diagnostikohet me kancer gjiri metastatik (i përhapur në organe të tjera) dhe merr këtë trajtim si linjë të parë të mjekimit.

Dhimbja e kyçeve

Edhe pse inhibitorët e aromatazës janë shumë efektivë, ata kanë efekte anësore. Studimet kanë treguar se rreth 25-50% të grave që marrin këtë mjekim përjetojnë dhimbje kyçesh ose dhimbje muskujsh.

Nuk dihet saktësisht përse inhibitorët e aromatazës shkaktojnë dhimbje kyçesh dhe deri më tani është e pamundur të parashikohet se cilët janë faktorët që do të ndikojnë në shfaqjen e efekteve anësore.

Nëse po merrni këto barna dhe ndjeni dhimbje kyçesh, flisni me mjekun onkolog.

Si mund të lehtësohen dhimbjet?

Trajtimi kryesisht konsiston në përdorimin e barnave kundër dhimbjes si paracetamol, ibuprofen ose naproxen.

“Shpesh provojmë të japim një lloj tjetër inhibitorësh të aromatazës pasi ndonjëherë funksionon për të lehtësuar efektet anësore.” 
thotë Dr. Mati.

Disa studime të vogla kanë treguar se mund të arrihet lehtësim i dhimbjes edhe nga përdorimi i suplementeve me omega-3, akupunturës dhe nga aktiviteti fizik. Por më shumë të dhëna janë të nevojshme për t`i konfirmuar këto gjetje.

Dhimbja e kyçeve si pasojë e trajtimit me inhibitorë të aromatazës nuk është e përhershme. Sapo ndërpritet trajtimi dhimbja kalon. Por për të marrë përfitimet që sjellin këto barna është e rëndësishme që ato të merren në mënyrë sistematike, sipas rekomandimit të onkologut.

Youtube

Arkiva

Kategoritë