Hën, Dhj 6, 2021
Banner Top
Banner Top
Demokraci Plus kërkon reagim nga Këshilli i Mediave të Shkruara për lajmet e rreme gjatë pandemisë

Demokraci Plus ka publikuar raportin e shkurtër “Lajmet e rreme gjatë pandemisë COVID-19 dhe ndikimi i tyre”.

Sipas komunikatës për medie, që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19 e deri më tani, në të gjitha vendet, përveç sfidës së ballafaqimit me këtë infeksion shqetësim mbetet edhe ballafaqimi me lajmet e rreme rreth kësaj pandemie.

“Përveç formimit të grupeve, në Kosovë tendencë për përhapje të dezinformatave kanë edhe mediat online, ku sipas një hulumtimi nga NDI, që nga marsi i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2021, 3,613 postime në mediat online kanë përmbajtje me informacione të çrregullta”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë kërkuar që Këshilli i Mediave të Shkurara të Kosovës  të punojë vazhdimisht me mediat online për të parandaluar publikimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme nga artikujt e përkthyer nga mediat ndërkombëtare.

Sipas tyre, lajmet e rreme kanë filluar të përhapen që nga fillimi i pandemisë duke shpikur ‘mite’ rreth prejardhjes së pandemisë COVID-19, si të mbrohemi nga infektimi e deri te efektet anësore të vaksinës.

“Përveç komenteve në rrjetin social facebook janë formuar grupe anti-vaksinë të cilët bëjnë thirrje për mos vaksinim. Një prej këtyre grupeve quhet ‘diskutime rreth vaksinës’, shumica e profileve në këtë grup janë të rreme dhe nuk dihet qartë kush qëndron prapa tyre”, thuhet në komunikatë.

Pasojat që sjellin këto lajme të rreme mund të jenë: shkaktimi i ankthit dhe stresit duke i vënë në mëdyshje për imunizim, e deri te bojkotimi total i vaksinës anti-covid, e që si rrjedhojë ka shpërndarjen e virusit dhe, shfaqjen gjithnjë e më shumë të varianteve të reja.

Disa nga rekomandimet e Demokraci Plus (D+) për reduktimin e përhapjes së lajmeve të rreme janë:

Ministria e Shëndetësisë duhet që në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, me mbështetjen e agjencive donatore, të dizajnojnë një fushatë komunikimi ku ndikimi i dezinformatave dhe lajmet e rreme në pandeminë COVID-19 të jenë në fokus të fushatës.

Fushata duhet të jetë e targetuar, për shembull, të synojë të rinjtë, ose mediat, rajonin e caktuar, grupmoshën e caktuar dhe të japë mesazhet në përputhje me rrethanat.

Ministria e Shëndetësisë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e lajmeve të rreme duke përfshirë burimet e lajmeve të rreme dhe të koordinojnë luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

Këshilli i Mediave të Shkurara të Kosovës duhet të punojë vazhdimisht me mediat online për të parandaluar publikimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme nga artikujt e përkthyer nga mediat ndërkombëtare.

Edukimi dhe trajnimi online për lajmet e rreme duhet të vihen në dispozicion të qytetarëve. Një shembull i mirë mund të jetë platforma e D+ për lajmet e rreme për të mësuar më shumë rreth dallimit midis lajmeve të vërteta dhe të rreme. fakeNews – Democracy Plus (dplus.org).

Arkiva

Kategoritë