Danimarka po konsideron shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca në vendet e varfra pasi ndaloi përdorimin e saj në vend për shkak të shqetësimeve në lidhje me formimin e mpiksjeve të rralla të gjakut, tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Danimarka këtë javë u bë vendi i parë që ndërpreu përdorimin e vaksinës AstraZeneca, ndërsa zyrtarët evropianë vazhdojnë të analizojnë dhjetëra raporte të mpiksjeve shumë të rralla të gjakut të kombinuara me trombocite të ulëta që kanë ndodhur në vendet e Bashkimit si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila së bashku me agjencitë mjekësore britanike dhe evropiane vazhdojnë të rekomandojnë përdorimin e vaksinës, duke thënë se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet, po bën gjithashtu presion që vendet të mos grumbullojnë vaksina nëse nuk i përdorin ato, raporton thelocaldenmark.
“Dje fola me Soren Brostromin, drejtor i autoritetit shëndetësor danez dhe kuptova se Ministria e Jashtme është gati ose tashmë po shqyrton opsionet për të ndarë vaksinën AstraZeneca me vendet e varfra”, tha Kluge.
Zyrtarët e OBSH-së nuk kanë kritikuar ndërprerjen e vaksinimit me AstraZeneca në Danimarkë dhe thanë se secili komb duhet të jetë fleksibël në marrjen e vendimeve në lidhje me programet e vaksinimit bazuar në normat e vaksinimit, infeksionit dhe shtrimet në spital.