Hën, Mar 18, 2024
Banner Top
Banner Top
COVID-19: Studimet tregojnë për pasoja afatgjata neurologjike

Pothuajse një vit pas shfaqjes së koronavirusit të ri, SARS-CoV2, numri i të prekurve globalisht nga ky virus i ka tejkaluar 88 milion. Edhe pse tashmë për COVID-19 disa vaksina janë aprovuar, aplikimi i tyre do të kërkojë më shumë kohë nga ç`mund të mendohej.

Ndërkohë, studimet vazhdojnë për të kuptuar më shumë mbi sjelljen e virusit, në mënyrë që të minimizohet përhapja dhe të reduktohen simptomat.

Shumë studime janë përqendruar mbi efektet afatgjata të këtij virusi për të krijuar një ide të qartë të asaj se si do të jetë jeta e një personi që ka kaluar infeksionin e COVID-19.

Një artikull i publikuar në Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer’s Association ka treguar se COVID-19 mund të shkaktojnë efekte të zgjatura në tru.

Viruset neurotropike


Shkencëtarët e konsiderojnë virusin SARS-CoV-2 një virus “neurotropik”, pasi ka aftësinë të depërtojë në qelizat nervore. Viruse neurotropike janë gjithashtu virusi i shytave (parotiti), virusi i tërbimit (rabies) dhe virusi Epstein-Barr. Disa prej viruseve neurotropike shkaktojnë simptoma më të lehta, ndërsa të tjerët mund të shkaktojnë dëmtime në tru, paralizë dhe vdekje.

Disa viruse të ngjashme me atë të gripit janë neurotropike dhe kanë strukturë të ngjashme me atë të koronavirusit të ri. Si të tilla, ato kanë shërbyer si objekt studimi për shkencëtarët për të kuptuar më shumë mbi efektet afatgjata të COVID-19 në pacientët e rikuperuar.

Sipas studimeve, ekziston një rrezik disi i shtuar për zhvillim të sëmundjes Alzheimer, sëmundjes së Parkinsonit dhe problemeve të shëndetit mendor në pacientët e rikuperuar nga COVID-19.
Kërko një konsultë neurologu

Rëndësia e simptomave neurologjike për COVID-19


Përveç simptomave të zakonshme të ngjashme me ato të gripit si kolla, temperatura dhe vështirësia në frymëmarrje, rreth 15-25% e personave me COVID-19 paraqesin edhe:

– Humbje të shijes dhe nuhatjes
– Çrregullim të gjendjes mendore
– Dhimbje koke

Edhe pse humbja e shijes dhe nuhatjes mund mos të duket shumë serioze, në fakt është shumë e rëndësishme, pasi është lidhur drejtpërsëdrejti me funksionin e trurit.

Për të hyrë në qeliza, SARS-CoV-2 lidhet me receptorët ACE2 të gjendur në membranat qelizore. Bulbi olfaktor, i cili është një pjesë e trurit përgjegjës për nuhatjen, përmban një përqendrim të lartë të këtyre receptorëve. Bulbi olfaktor ka gjithashtu një lidhje të fortë me hipokampin, i cili është përgjegjës për memorien.

Kështu që, mendohet se sapo virusi pushton trurin, drejtohet menjëherë në hipokamp. Kjo mendohet të jetë një ndër burimet e çrregullimit konjtiv të vënë re në pacientët me COVID-19.

Ndër problemet serioze gjatë infeksionit me SARS-CoV-2, përfshihen edhe edema cerebrale, inflamacion i trurit dhe konvulsionet.

Cilat janë efektet afatgjata të COVID-19?


COVID-19 mund të shkaktojë dëmtime serioze në mushkëri dhe ky dëmtim mund të jetë i pakthyeshëm. Megjithatë, tashmë studimet po tregojnë se dëmtimet mund të shtrihen edhe përtej mushkërive.

Autorët e artikullit shprehen se “problemet respiratore dhe disa nga simptomat gastrointestinale mund të jenë si pasojë e çrregullime të funksionit të trungut të trurit.” Ende nuk është e ditur nëse efektet neurologjike afatgjata mund të shfaqen edhe në personat që kanë kaluar infeksionin e COVID-19 pa simptoma.

Megjithatë, meqenëse COVID-19 është një sëmundje e re, do të duhet më shumë kohë për të zbuluar cilat janë saktësisht efektet afatgjata të sëmundjes dhe nëse këto teori do të vërtetohen.

Youtube

Arkiva

Kategoritë