Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka është intoleranca ndaj laktozës?

Vetëm një e treta e të rriturve sot mund ta tretin laktozën. Për shumë vite, studiuesit supozuan se njerëzit e përvetësuan këtë aftësi kur paraardhësit tanë parahistorikë filluan të pinin qumësht. Një studim i ri na e jep një histori krejt tjetër.

Një studim i ri i botuar ditëve të fundit në revistën Nature nga studiuesit e Universitetit të Bristolit dhe Kolegjit Universitar të Londrës zbuloi se aftësia e njerëzve për ta tretur laktozën u bë e zakonshme pothuajse 5,000 vjet më vonë se shenjat e para të konsumit të qumështit të njeriut, të cilat datojnë rreth 6,000 vite para Krishtit.

Ata zbuluan gjithashtu, duke përdorur metoda të reja modelimi kompjuterik, se konsumi i qumështit nuk ishte arsyeja për rritjen e tolerancës ndaj laktozës.

“Qumështi nuk ndihmoi aspak,” tha për DW autori i studimit Mark Thomas, studiues i Kolegjit Universitar në Londër.

“Jam i emocionuar për metodën e modelimit statistikor që kemi zhvilluar. Me sa jam në dijeni, askush nuk e ka bërë këtë më parë,” tha Thomas.

Çka është intoleranca ndaj laktozës?

Të gjitha foshnjat normalisht mund të tretin laktozën. Por për shumicën prej tyre, kjo aftësi do të fillojë të zbehet pasi ta ndalojnë qumështin e gjirit.

Sot rreth dy të tretat e njerëzve janë jo-persistues të laktazës, që do të thotë se ata nuk mund të tretin laktozën, sheqerin kryesor në qumësht.

Njerëzit të cilët janë jo-persistues të laktazës nuk mund të prodhojnë një enzimë të quajtur laktazë, e cila zbërthen laktozën. Kur kjo enzimë mungon, laktoza është e lirë të udhëtojë në zorrën e trashë, ku bakteret ushqehen me të.

Kjo mund të shkaktojë efekte anësore të pakëndshme, si ngërçe, lirim gazrash ose diarre. Së bashku këto simptoma quhen intolerancë ndaj laktozës.

Rezultate befasuese

Rezultatet e këtij studimi janë në kundërshtim me besimin e përhapur se konsumimi i qumështit nga paraardhësit tanë parahistorikë çoi në evoluimin e një variacioni gjenetik që i lejon ata ta tretin laktozën edhe pas moshës madhore.

Ky supozim mund të gjurmohet pjesërisht në marketingun e përfitimeve të supozuara shëndetësore të tolerancës ndaj laktozës. Për vite të tëra, kompanitë e qumështit, mjekët dhe madje edhe nutricionistët e kanë shitur qumështin dhe prodhimet e qumështit si shtesa të rëndësishme të vitaminës D dhe kalciumit dhe burime të mira të ujit të pandotur.

Por studiuesit i hodhën poshtë me shpejtësi këto ide pasi analizuan një grup të madh ADN-je dhe informacionesh mjekësore të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar. Ata zbuluan se nëse mund ta toleronin ose jo laktozën kishte pak efekt në shëndetin e njerëzve, nivelet e tyre të kalciumit ose nëse pinin qumësht ose jo, tha Thomas.

Pse ka evoluar qëndrueshmëria e laktazës?

Studimet gjenetike tregojnë se qëndrueshmëria e laktazës është “tipari i vetëm gjenik më i zgjedhur, më i fortë që ka evoluar në 10,000 vitet e fundit”, tha Thomas.

Rreth vitit 1000 p.e.s, nri i njerëzve me aftësinë për ta tretur laktozën, e cila është e koduar në një gjen, filloi të rritet me shpejtësi.

Pasi zbuluan se konsumi i qumështit nuk qëndron pas kësaj rritjeje, studiuesit testuan dy hipoteza alternative.

Një hipotezë ishte se kur njerëzit u ekspozuan ndaj më shumë patogjenëve, simptomat e intolerancës ndaj laktozës të kombinuara me agjentët e rinj infektues mund të shndërroheshin në vdekjeprurëse.

“Ne e dimë se ekspozimi ndaj patogjenëve do të ishte rritur gjatë 10,000 viteve të fundit me rritjen e dendësisë së popullsisë, pasi njerëzit jetojnë më afër kafshëve të tyre shtëpiake,” tha Thomas.

Hipoteza tjetër kishte të bënte me zinë e bukës. Kur kulturat e mbjella nga popullatat parahistorike intolerante ndaj laktozës dështuan, qumështi dhe produktet e qumështit u bënë disa nga opsionet e tyre të vetme për ushqim.

“Nëse je një person i shëndetshëm, ke diarre. Është gjë e turpshme. Nëse je i kequshqyer rëndë dhe i jep vetes diarre, ka shumë mundësi që të vdesësh,” tha Thomas.

Studiuesit përdorën të njëjtat metoda të modelimit kompjuterik për të shqyrtuar nëse këto ide mund ta shpjegonin më mirë evolucionin e qëndrueshmërisë së laktazës.

“Dhe ata bënë shumë më mirë,” tha Thomas. “Të gjitha këto teori që në fund të fundit lidhen me përdorimin e qumështit nuk duket se ndihmojnë.”

Studimi u fokusua kryesisht në popullatat evropiane dhe nevojiten më shumë kërkime për kontinente të tjera.

Për fat të keq, gjetja e ADN-së së lashtë në vendet afrikane është më e ndërlikuar sepse është më e nxehtë dhe nxehtësia është një përcaktues i madh nëse ADN-ja mbijeton,” përfundon Thomas./Deutsche Welle

Youtube

Arkiva

Kategoritë