Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
E ashtuquajtura cistë araknoidale paraqet njërën prej variacioneve më të shpeshta, deri diku fiziologjike, në tru. Pacientët shpesh tmerrohen nga raportet radiologjike kur lexojnë diçka të tillë, por atyre duhet shpjeguar dhe ata duhen qetësuar se cista nuk paraqet ndonjë sëmundje dhe se në shumicën e rasteve nuk shkakton as simptoma. Ajo paraqet një çrregullim zhvillimor të trurit që nga formimi i embrionit të mitrën e nënës. Pra, lindim me cistë, vdesim me të, por nuk vdesim prej saj.
Truri është i rrethua me lëngun trunoshpinor dhe menjëherë mbi këtë lëng ndodhet mbështjellësi që quhet araknoide (merimangë). Truri dhe araknoidea janë të puthitura, dhe lëngu që qarkullon ndërmjet tyre krijon një kanal shumë të ngushtë. Në ndonjë vend, hapësira ndërmjet trurit dhe cipës mund të jetë më i zgjeruar dhe në këtë zgjerim krijohet një pamje ciste. Prandaj, cista araknoidale nuk është asgjë tjetër pos një hapësire më të gjerë e cila është e mbushur me lëng trunoshpinor.
Cista araknoidale paraqitet në 1% të njerëzve dhe konsensusi i përgjithshëm është se ato nuk duhet të korrigjohen me ndërhyrje kirurgjike. / Familja Jone