Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
Çfarë ndodhi kur nxënësit shkuan në shkolla gjatë pandemisë së vitit 1918

Koronavirusi nuk është rasti i parë kur drejtuesit e shteteve në botë, janë përballur me vendimin e vështirë për hapjen apo jo të shkollave.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në vitin e largët 1918, kohë kur bota u prek nga i ‘famshmi’ gripi spanjoll, i cili u mori jetën rreth 50 milionë njerëz.

CNN i ka kushtuar një artikull pikërisht vendimeve që u morën në atë kohë për hapjen apo jo të shkollave në Amerikë, teksa kontinenti u prek fuqishëm nga pandemia e grupit, me rreth 675 mije jete te humbura.

Shumica e qyteteve në SHBA vendosën t’i mbyllin shkollat. Vetëm tre vendosën ndryshe, konkretisht New York, Chicago dhe New Heaven.

Vendimi i autoriteteve në këto vende u bazua në hipotezën se nxënësit ishin më të sigurt në shkolla, pasi godinat ofronin një mjedis më të pastër dhe ku kishte shërbime sanitare, mjekët e infermierë. Kujtojmë se flasim për fillimin e shekullit të kaluar dhe shtëpitë e masës së gjerë të popullatës nuk kishin standardet e higjienës që mund të gëzojnë sot banesat.

Zyrtarët e shëndetësisë gjithashtu mendonin se veçanërisht për nxënësit nëpër rrethe, situata do të ishte edhe më e mirë pasi ajri dhe mjedisi do të ishin më të pastër.

Në New York për shembull, nxënësit nuk u lejuan të mblidheshin jashtë shkollës. Kush dyshohej se mund të ishte prekur nga gripi izolohej dhe një doktor vendoste nëse do të duhej të karantinohej në banesë apo duhet të shkonte në spital.

Në Chicago argumenti i autoriteteve ishte se duke i çuar fëmijët nëpër shkolla, këta të fundit do të qëndronin larg rrugëve apo edhe të rriturve që mund t’i infektonin. Një tjetër detaj interesant në Chicago ishte fakti se gjatë dimrit klasat ishin të tejnxehura, në mënyrë që dritaret të liheshin të hapura dhe të qarkullonte ajri.

Komisioneri i Shëndetit në atë kohë, Copeland thoshte se është më mirë që fëmijët të jenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të personave të kualifikuar, sesa të shkohet në vendimin për mbylljen e shkollave.

Por ndryshe mendon sot një historian i mjekësisë. CNN shkruan se Howard Markel është i mendimit se vendet që hapën shkollat gjatë pandemisë së 1918, nuk bënë ‘më të mirën’.

“New York “nuk bëri më të keqen, por nuk bëri as më të mirën. Hulumtimet treguan se qytetet që zbatuan karantinimin dhe izolimin, mbylljen e shkollave dhe ndalimet në tubime publike e kaluan më kollaj pandeminë. Qytetet që morën më shumë se një nga këto masa bënë më mirë. Mbylljet e shkollave ishin pjesë e këtij kontributi”, tha Markel.

Sipas Markel, sot situata nuk është e njëjta dhe vendimi i duhur do të jetë mbajtja e shkollave mbyllur.

“Është më mirë të jesh i sigurt se sa të të vijë keq më vonë”, tha ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë