Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Çfarë duhet të dini për vaksinën e AstraZenecas, të cilën e pret Kosova?

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër coronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë muajit shkurt,Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha të premten se gjatë muajit mars pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinave nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Cili është efikasiteti i vaksinës?

Vaksina e Oxford/AstraZeneca ka 63.9 për qind efikasitet kundër sëmundjes COVID-19, sipas analizave preliminare, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rekomanduar që kjo vaksinë të përdoret.

Kjo vaksinë administrohet me dy doza. OBSH-ja thotë se vaksina shfaq më shumë efikasitet kur intervali kohor nga doza e parë te doza e dytë është më i gjatë.

“Kjo, së bashku me gjetjen e niveleve më të larta të antitrupave kur rritet intervali në mes të administrimit të dy dozave, mbështet përfundimin se intervalet më të gjata ndërmjet dozave brenda intervalit 4-12 javë shoqërohen me efikasitet më të madh të vaksinës. Për shkak të këtyre gjetjeve, sa i përket efikasitetit të dy dozave dhe rritjes së imunogjentetit kur doza e parë dhe doza e dytë kanë interval më të gjatë kohor, OBSH-ja rekomandon që dozat të merren ndërmjet intervalit 8-12 javë”, thotë OBSH-ja.

Vaksina e Universitetit të Oxford-it dhe kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca rekomandohet të merret nga mosha 18 vjeçe dhe sipër.

Sa i përket mundësisë që kjo vaksinë të përzihet me vaksina të tjera, pra një person të mund të marrë një dozë të AstraZenecas dhe dozën tjetër të ndonjë vaksine tjetër të zbuluar, OBSH-ja rekomandon që të mos bëhet një gjë e tillë dhe personat të marrin dy dozat e vaksinës nga i njëjti prodhues.

Sa i përket mundësisë së reaksioneve alergjike ndaj vaksinës, rekomandohet që nëse një person, pas marrjes së dozës së parë ka reaksione alergjike, të mos e marrë dozën e dytë të së njëjtës vaksinë.

Megjithëkëtë, gjatë studimeve klinike, shkencëtarët thuhet se nuk kanë vërejtur që kjo vaksinë ka shkaktuar reaksione alergjike.

“Megjithatë, si të gjitha vaksinat, edhe vaksina e AstraZenecas duhet të administrohet nën mbikëqyren e punëtorëve shëndetësorë, të cilët mund të japin trajtimin e duhur mjekësor nëse shfaqen reaksione alergjike”, thotë OBSH-ja, duke shtuar se si për çdo vaksinë tjetër, duhet që për 15 minuta të vëzhgohet personi që ka marrë vaksinën për ndonjë reaksion të mundshëm.nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnëJa çfare sugjerojnë mjekët për trajtimin e rrudhave dhe të fytyrësiuveniscare.comThese Beautiful Weather Girls Are Sure To Brighten Up Your DaySizzlfy[Photos] Waffle House Waitress Didn’t Know She Was Recorded While She Served This CostumerCar Novels

Vaksina dhe personat mbi 65 vjeç

Për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve të moshës 65 vjeç apo më të moshuar, në provat klinike të kësaj vaksine, vlerësimi i efikasitetit të kësaj vaksine ndaj kësaj grupmoshe është i gjerë.

“Vlerësime më të sakta për efikasitetin për këtë grupmoshë pritet së shpejti, si nga provat që po zhvillohen, por edhe nga studimet mbi efikasitetin që po bëjnë shtetet që po e përdorin këtë vaksinë. Përgjigjet imunitare që janë shkaktuar nga vaksina te personat e moshuar, janë të dokumentuara mirë dhe janë të ngjashme si te grupmoshat e tjera. Kjo sugjeron që ka shumë gjasa që vaksina të jetë efektive edhe te personat e moshuar. Të dhënat e provave thonë se vaksina është e sigurt për këtë grupmoshë”, thuhet në vlerësimin e OBSH-së.

Qeveria e Francës më 2 mars tha se njerëzit e moshuar, me kushte para-ekzistuese të sëmundjeve, mund ta marrin vaksinën AstraZeneca kundër coronavirusit.

Deklarata paraqet një ndryshim qëndrimi për këtë çështje.

Në shkurt, Franca ka miratuar përdorimin e vaksinës AstraZeneca vetëm për njerëzit nën moshën 65-vjeçare, duke përmendur mungesën e të dhënave për njerëz më të moshuar.

Personat nën 18 vjeç

Deri më tani, nuk ka të dhëna lidhur me efikasitetin dhe sigurinë që kjo vaksinë të përdoret te fëmijët apo adoleshentët nën moshën 18-vjeçare.

“Derisa të ketë të dhëna për këtë grupmoshë, vaksinimi i personave nën 18 vjeç nuk rekomandohet”, vlerëson OBSH-ja.

Ndërkaq, sa i përket grave shtatzëna dhe atyre që ushqejnë fëmijët e tyre me gji, thuhet se ato janë në rrezik të madh që të sëmuren rëndë nga COVID-19, krahasuar me gratë që nuk janë shtatzëna. Po ashtu, COVID-19 është shoqëruar me rrezikun e lartë të lindjeve të parakohshme.

“Të dhënat aktuale mbi vaksinimin e grave shtatzëna me AstraZeneca janë të pamjaftueshme për të vlerësuar efikasitetin apo rreziqet që lidhen me vaksinimin gjatë shtatzënisë”, thotë OBSH-ja, duke shtuar se ngjashëm janë të dhënat edhe për gratë gjidhënëse dhe nuk dihet nëse vaksina ndikon te qumështi.

Megjithatë, OBSH-ja thekson se vaksina e AstraZenecas është vaksinë që nuk shumëzohet, andaj thotë se me gjasë nuk paraqet rrezik te fëmijët që ushqehen me gji.

“Marrë parasysh këto, gratë gjidhënëse bëjnë pjesë në grupin që rekomandohet të vaksinohen. OBSH-ja nuk rekomandon ndërprerjen e ushqyerjes me gji të fëmijëve, pasi nënat të vaksinohen”, thuhet në rekomandim.

Sa i përket personave që janë me HIV, ata nuk kanë qenë të përfshirë në analizat preliminare të studimeve mbi efikasitetin dhe sigurinë e kësaj vaksine, andaj të dhënat për këtë grup shoqëror ende nuk janë të qasshme.

Personat që e kanë kaluar COVID-19

Vaksinimi rekomandohet pavarësisht nëse një person e ka kaluar coronavirusin e ri.

Por, personat që janë të konfirmuar si COVID-19 pozitivë, përfshirë ata që janë konfirmuar pozitivë pasi kanë marrë dozën e parë të vaksinës, nuk duhet të vaksinohen, pra të marrin dozën e dytë, derisa ta jenë shëruar nga sëmundja akute.

“Personat që janë të konfirmuar me COVID-19 mund ta shtyjnë vaksinimin deri në gjashtë muaj”, rekomandon OBSH.

Komisioni për vaksina në Gjermani tha më 4 mars se personat që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, duhet të marrin vetëm një dozë të vaksinës së prodhuar nga kompania britanike, AstraZeneca dhe Universiteti i Oxford-it.

Ky vendim pritet që mundësojë që më shumë njerëz të vaksinohen kundër coronavirusit, teksa shtetet po përballen me mungesë të dozave të vaksinave.

Variantet e reja të koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se variantet e reja të coronavirusit janë ende nën vlerësim. Disa variante të reja besohet se janë më ngjitëse, shkaktojnë sëmundje më të rëndë, ka rrezik më të lartë të riinfektimit apo shkaktojnë ndryshim në përbërjen antigjentike, duke rezultuar në efikasitet më të ulët të vaksinës.

Sipas të dhënave paraprake, sipas OBSH-së, vaksina AstraZeneca është më pak efektive ndaj variantit të shfaqur në Mbretëri të Bashkuar, që shoqërohet me uljen e prodhimit të antitrupave. Ndërkaq, analizat e bëra për variantin e Afrikës së Jugut tregojnë se vaksina e AstraZenecas është më pak efektive ndaj sëmundjes së moderuar dhe të butë dhe po ashtu është vërejtur edhe rënia e antitrupave.

Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normal në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius./REL/

Youtube

Arkiva

Kategoritë