ARTC, në kuadër të projektit për ruajtjen e mjedisit, ka realizuar dy fushata vetëdijësuese. Njëra nga këto fushata ka në fokus hidrocentralet, saktësisht dëmet që këta të fundit ua shkaktojnë lumenjëve.
Meqenëse shumë kompani i kanë parë si resurse të përshtashme lumenjtë për ndërtimin e hidrocentraleve, kjo dukuri ka pasur shumë efekte negative, sidomos në disa zona që janë të mbrojtura, si parqet kombëtare dhe zonat arkeologjike.
Duke e parë këtë degradim gjithnjë e në rritje, ARTC thekson se është ndier nevoja për një sensibilizim të qytetarëve që, përmes luftimit të këtij sistemi, t’i mbrojnë pellgjet ujore dhe ekosistemin, sidomos kur dihet që Kosova ka pak resurse ujore të cilat nuk mbulojnë as nevojat për pije.
Të intervistuar nga Familja Jonë, kjo organizatë thekson se qëllimi kryesor i kësaj videoje ka qenë ndërgjegjësimi i qytetatrëve dhe vendimmarrësve, që projektet e tilla, që kanë një impakt të madh mjedisor, të kalojnë përmes konsultimit publik, siç edhe e imponon edhe Konventa e Arhusit e cila është e inkorporuar në legjislacionin kosovar.
Tutje, ata shprehen se kjo fushatë ka pasur efekte pozitive sepse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vendosi një moratorium për ndërtimin e hidrocentraleve.