Është anuluar protesta e cila ishte paralajmëruar për ditën e sotme në Prishtinë, në mbështetje të profesorit nga Vushtrria, Lulzim Paci.
Organizuesit e protestës kanë njoftuar se protesta tashmë do të mbahet vetëm në Vushtrri, transmeton Telegrafi.
“Komuna e Prishtinës lajmëron sot pas disa ditëve se nuk mund të realizohet fushata vetëdijesuese ‘Vallëzojmë kundër Bullizmit” në sheshet e Prishtinës, me arsyen se qendrat e vaksinimit do vendosen në sheshet e Prishtinës po këtë ditë! Këtë fushatë vetëdijesuese do ta realizojmë vetëm në Vushtrri nga ora 14:00. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Ju mirëpresim nesër në Vushtrri”, thuhet në njoftim.
“Vallëzojmë kundër bullizmit” i iniciuar nga “Love and Dance Prishtina”, të cilës i është bashkangjitur edhe studio tjetër e vallëzimit “Evolution Dance Kosovo” nga Prishtina, vjen pas reagimeve të shumta për profesorin i cili u bullizua për vallëzimet e tij në këtë rrjet sociale.
Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ajo e cila kishte kërkuar nga gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit që të marrin masa ndaj profesorit, për çka më vonë i ka kërkuar falje profesorit Paci.
Në njoftimin e paralajmëruar për këtë protestë-vallëzim thuhet se ky është një organizim kundër paragjykimeve dhe bullizmit në shoqëri.