Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
“Ankthi i së Dielës” Është i Vërtetë – Si të Shpëtoni Prej tij? 

Nëse nuk e keni hasur më parë këtë term, “ankthi i të dielës” është një ndjenjë nervozizmi ose frike që shfaqet kur kaloni nga gjendja juaj e fundjavës në gjendjen e javës së punës.

Intensiteti i këtij ankthi ndryshon në varësi të personit, duke filluar nga një ndjesi e lehtë shqetësimi, deri te nxitja e instinkteve të mbijetesës që shfaqen zakonisht në rrethana kërcënuese për ne.

Njerëzit që përjetojnë ankthin e të dielës raportojnë gjithashtu shenja nervozizmi, pagjumësi dhe probleme me tretjen.

Megjithëse kjo mund të mos jetë një temë bisede që diskutohet shpesh mes miqve dhe kolegëve, ankthi i të dielës është mjaft i zakonshëm te të gjithë njerëzit.

Një sondazh i vitit 2018 i kryer nga LinkedIn zbuloi se 80 për qind e të anketuarve e kishin përjetuar atë. 90 për qind e personave të grupmoshës 10 deri në 40 vjeҫ raportuan se kishin shenjat e këtij ankthi.

Një tjetër sondazh tregon se ora 3:58 e pasdites është orari mesatar kur fillon të ndihet ky ankth, me 88 për qind të pjesëmarrësve që raportojnë se e përjetojnë atë çdo javë.

Mund të ndiheni sikur nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar nga kjo ndjesi e përjavshme e ankthit të së dielës, por në fakt ka disa mënyra për ta përballuar dhe për ta eliminuar plotësisht atë.

Identifikoni burimin e ankthit 

Sipas sondazhit të LinkedIn, ka disa shkaktarë që sjellin ankthin e së dielës, ku ndër më kryesorët janë: ngarkesa e madhe e punës, lista me detyrat profesionale dhe personale që duhen përfunduar dhe të menduarit për punët që nuk u kryen dot javën e kaluar.

Për disa persona, ky ankth mund të jetë stresi për një prezantim që kanë për të bërë ose për një detyrë që duhet të mbyllet brenda një afati që po afrohet, ndërsa për të tjerë, ky ankth mund të lidhet me kthimim te një ambient pune me presion të lartë ose toksik.

Kjo gjendje duket si një cikël i pafund që nuk mund të prishet, por lajmi i mirë është se nëse identifikoni burimet e ankthit tuaj të së dielës, ka disa mënyra për ta bërë atë pjesë të së shkuarës.

Përgatituni për javën e punës dhe merreni atë me qetësi

Në vend që të largoheni nga puna pasditen e së premtes me mendjen te detyrat që ju presin, merrni pak më tepër kohë për të ecur përpara me punët që duhet të bëni të hënën.

Nëse e filloni javën me një listë më të shkurtër të detyrave që keni për të bërë, kjo do t’ju ndihmojë të jeni më të qetë.

Gjithashtu, sa herë që është e mundur, përpiquni të mos planifikoni për ditën e hënë afatet përfundimtare për detyra të rëndësishme, prezantime ose takime.

Kujdesuni për orarin e gjumit gjatë fundjavave

Megjithëse mund të tundoheni për të qëndruar zgjuar deri vonë gjatë fundjavave, respektimi i një orari për gjumin do t’ju ndihmojë të përballoni stresin e mbrëmjes të së dielës.

Flini me orar të plotë dhe të qetë, si të premten, ashtu edhe të shtunën. Një orar i tillë do t’ju ndihmojë gjithashtu të flini më mirë përpara se të filloni javën e re të punës.

Merruni me punët e lodhshme gjatë të shtunave

Në vend që t’i lini për ditën e dielë punët e ndryshme si larjen e rrobave, pazaret dhe përgatitjen e ushqimeve, përfundojini ato të shtunën ose që të premten në mbrëmje.

Kjo do t’ju ndihmojë në uljen e stresit dhe do të bëjë që t’ia dedikoni ditën e diel pushimit dhe qetësisë.

Mbylleni fundjavën me një të diel të bukur

Pasi keni përfunduar punët tuaja më herët gjatë fundjavës, e diela mund të jetë e gjitha për të shijuar jetën në maksimum.

Bëjeni ditën e diel sa më argëtuese, duke planifikuar aktivitete si një mëngjes i qetë me miqtë tuaj, apo duke zgjedhur të shikoni një shfaqje në kinema.

Nëse preferoni të qëndroni në shtëpi, atëherë mund të lexoni një libër ose të shikoni atë serialin televiziv që ka kohë që është në listën tuaj.

Familjet mund ta shfrytëzojnë ditën e dielë për të bërë një udhëtim ditor ose për të kaluar kohë cilësore me njerëzit e dashur që nuk keni mundësi t’i takoni shumë shpesh.

Në këtë mënyrë, shumë shpejt do ta gjeni veten duke pritur me padurim ardhjen e të dielave, në vend që t’i keni frikë ato. Kështu, teksa fundjava juaj po mbaron, java që po nis do t’ju gjejë plot me mendime pozitive.

Burimi: Revista Monitor

Youtube

Arkiva

Kategoritë