Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është rikthyer jetës normale, pas qëndrimit dyjavor në shtëpi. Ai ishte i infektuar me COVID-19, mirëpo në këtë “betejë” doli fitimtar kryetari i VV-së, shkruan “Jepi zë”.
Kurti është parë duke hyrë në zyrat e partisë dhe ka përshëndetur mediat me dorë. Ish-kryeministri ishte paraqitur me një fotografi edhe para disa ditësh, ku tha se simptomat i janë zbutur.
“Pasditja e parë pa simptoma. Do ta vazhdoj vetizolimin edhe disa ditë, sipas rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Ju falemnderit të gjithëve që më keni thirrur ose shkruar, që keni pyetur ose jeni brengosur për mua. U jam mirënjohës për kujdesin e mbështetjen dhe u kërkoj falje për pamundësinë që t’u përgjigjem të gjithëve veçmas”, thoshte Kurti para gjashtë ditësh.
Sidoqoftë, ai ishte infektuar para rreth dy javësh, kur u kthye nga qëndrimi disaditor në Zvicër, ku pati takime me përkrahës në mërgatë.