Enj, Maj 19, 2022
Banner Top
Banner Top
Aksidenti në Klinë,një shtatzënë ka pësuar lëndime në fytyrë dhe po trajtohet në QKUK

Nga një aksident i rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Grabanicë të Klinës, ku u përfshinë katër vetura, të lënduar mbetën 18 persona në mesin e tyre edhe tre fëmijë.

Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se deri te aksidenti ka ardhur kur i dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën,  nga pakujdesia ka goditur tri vetura të cilat ishin duke lëvizur në kahjen e kundërt.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar 18-persona (meshkuj dhe femra kosovarë), tre prej tyre fëmijë të moshave të ndryshme.  Të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor, ku shtatë prej tyre janë ndaluar për trajtim mjekësorë, ndërsa të lënduarit tjerë (11) pas tretmanit mjekësor janë liruar. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia.

Spitali Rajonal i Pejës, mbrëmë përmes një komunikate për media kishte bërë të ditur se nga të lënduarit tre prej tyre ishin dërguar për në QKUK.

Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorin e Emergjencës në QKUK, Naser Syla i cili ka thënë se pacientët në fjalë janë dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë dhe atë të Ortopedisë.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili ka thënë për Telegrafin se pacientja e cila ka pësuar lëndime nga aksidenti në fjalë është dërguar në Patologji shkaku i lëndimeve që ka në trup.

Ai ka thënë se në aspektin gjinekologjik pacientja dhe foshnja kanë qenë mirë.

“Pacientja e cila është në javën e nëntë të shtatzënisë në aspektin gjinekologjik ka qenë mirë edhe ajo edhe foshnja. E njëjta është dërguar në patologji shkaku i lëndimeve që ka në fytyrë, ku ka dëmtim të nofullës, thyerje të dhëmbëve etj”, ka thënë Ismaili. 

Arkiva

Kategoritë