Një çështje që po preokupon së fundi jo pak njerëz është edhe ajo se a është i dëmshëm vaksinimi menjëherë pas kalimit të sëmundjes COVID-19. Meqë supozohet se trupi fiton një mbrojtje më të madhe ndaj të njëjtit virus, disa nga njerëzit po hezitojnë të vaksinohen me arsyetimin se duhen kaluar gjashtë muaj për ta bërë një gjë të tillë.
I kontaktuar nga Familja Jonë, infektologu, Veli Rexha, thekson se, bazuar në të dhënat e CDC, vaksinimi zakonisht kryhet 3-6 muaj pas kalimit të COVID-19, mirëpo, edhe nëse vaksinoheni menjëherë pas kalimit të virusit, nuk do të keni kundërindikacione. Gjithsesi, ai nënvizoi se rekomandimet për vaksinim në Kosovë jepen nga IKShPK.
“Duke pasur parasysh se riinfektimi pas shërimit nga sëmundja Covid-19 është i rrallë në muajt e parë pas kalimit të sëmundjes , shumë shtete në Evropë e kanë shtyrë vaksinimin e këtyre personave në interval prej së paku 3-6 muaj pas infektimit ose pas shërimit. Por, nëse një person që e ka kaluar COVID-19, dëshiron ta marrë vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur, atëherë nuk ka kundërindikacion për t’u vaksinuar. Gjithsesi, të gjitha rekomandimet për vaksinim i jep IKShPK”, theksoi ai për Familja Jonë.
Tutje, në pyetjen se a mund të krijojë imunitet të plotë vaksinimi pas kalimit të COVID-19, Rexha shtoi se të dhënat e fundit nëpër Evropë tregojnë se nuk mund të arrihet imuniteti tërësisht, por, gjithsesi, mundësitë e manifestimit të rëndë të sëmundjes në këto raste janë shumë herë më të vogla.
“Sipas CDC, edhe pas kalimit të sëmundjes edhe pas marrjes së vaksines, imuniteti absolut nuk mund të arrihet. Por vaksina së bashku me imunitetin natyral zvogëlojne mundësin për simptoma të rënda klinike”, përfundoi ai.