Hën, Mar 18, 2024
Banner Top
Banner Top
A është zgjidhja e duhur testimi i mësimdhënësve?

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

Në mes të temave të ngritura së fundi, ajo e testimit me shkrim të mësimdhënësve ka prodhuar jo pak reagime. Një deklaratë e ministres së Arsimit, Arbërije Nagavci, trazoi ujërat e për rrjedhojë prodhoi mendime e vlerësime të ndryshme lidhur me atë se sa do të ndikojë ky veprim potencial në përmirësimin e cilësisë së arsimit parauniversitar.

Shtëllungat e pakënaqësisë u ndien veçanërisht nga SBAShK-u, të cilët rikonfirmojnë qëndrimin e tyre se testimi i punëtorëve arsimorë nuk do të lejohet. Sipas tyre, mësimdhënësit janë testuar mjaftueshëm sa i përket njohurive nga profesorët gjatë kohës së studimeve. Kësisoj, ata, si zgjidhje për këtë problem e shohin shtimin e inspektorëve të arsimit, në mënyrë që të rritet përgjegjësia dhe llogaridhënia nga vetë mësimdhënësit.

Se testimi nuk do të paraqiste me saktësi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve e thotë edhe njohësi i arsimit dhe drejtori i Institutit Ed Guard, Rinor Qehaja, i cili shprehet se testimi paraqet një instrument të kufizuar dhe nuk do të jetë preciz në lidhje me atë se cka synon të masë. Ai gjithashtu thekson se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është përcaktuar ligjërisht, e që brenda kësaj pakoje nuk parashihet askund testimi.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i përcaktuar ligjërisht  dhe ky vlerësim nuk parasheh testimin, sikurse që testimi nuk është prezantuar as si objektiv qeveritar. Pra, me gjasë nxitja për debat ka për burim një keqkuptimin institucional mes MASHTI-t dhe SBASHK-ut. Testimi paraqet një instrument të kufizuar që, edhe po të prezantohej, nuk do të mund të përcaktonte me saktësi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve – mësimdhënia përbëhet nga shumë komponentë, vlerësimi i të cilës kërkon përkushtim dhe kapacitet profesional”, tha ai për “Familja Jonë”.

Qehaja tutje shprehet se cilësia në arsimin parauniversitar rritet me anë të llogaridhënies së mësimdhënësve, prandaj vlerësimi meritor i punës së tyre do të mund të përkthehej në një proces të mirëfilltë mësimor.

“Përmirësimi i cilësisë së arsimit është subjekt i rritjes së llogaridhënies, e kjo përfshin edhe një vlerësim meritor të performances së mësimdhënësve – si pikënisje nevojitet të rishikohet legjislacioni dhe kapacitetet për zbatim të vlerësimit, për të garantuar një proces të mirëfilltë dhe profesional, që do të inkurajonte dhe shpërblente mësimdhënësit e mirë, por edhe do të ofronte mundësi për përmirësim për këdo të identifikuar me ngecje në performancës”, shtoi tutje Qehaja.

Ai gjithashtu foli edhe për kërkesën e SBAShK-ut që të paguhet edhe mësimi plotësues. Sipas Qehajes mësimi plotësues ka qenë gjithnjë pjesë e punës së mësimdhënësve, prandaj kompensimi asnjëherë nuk është diskutuar.

“Mësimi plotësues dhe shtesë gjithherë ka qenë pjesë përbërëse e punës së mësimdhënësve për të cilën asnjëherë kompensimi nuk është diskutuar. Mësimi plotësues parashihet me legjislacion dhe kurrikulë si pjesë përbërëse e punës se mësimdhënësve”, përfundoi ai.

Ndërkohë, edukatori Ilaz Hajra, këtë kërkesë të SBAShk-ut, përveç që e sheh të palogjikshme, në gjykimin e tij është edhe tendencioze e e jashtëligjshme.

“Konsideroj se sa është e paarsyeshme e jologjike, aq është tendencioze dhe e jashtëligjshme. Ne, me gjendjen e arsimit që e kemi, mësimi plotësues do të duhej të ishte diç normale, pra që shpesh praktikohet dhe nxënësit e mësimdhënësit do të duhej qëmoti të akomodoheshim me të”, theksoi ai.

Ndërsa, sa i përket asaj se a duhen testuar mësimdhënësit, Hajra shprehet se testimi duhet t’i ketë për bazë disa pika.

“Së pari, duhet pasur parasysh katër komponentë: hartimi i testit, mënyra e testimit, niveli i mësimdhënësve dhe niveli i komisionit vlerësues. Hartimi i testit duhet t’i përmbajë në vete disa kritere: formulimi i pyetjeve, vendosja e pikëve, pyetjet të jenë në harmoni të plotë me objektivat SMART (pra, të jenë specifike, të matshme, të realizueshme, relevante dhe të kufizuara në kohë). Koha për plotësimin e testit duhet të jetë e mjaftueshme.  T’i shmangemi pyetjeve subjektive maksimalisht. Njëra nga pyetjet të jetë ese, si dhe të shikohen gabimet përmbajtësore në formulimin e përgjigjeve, mandej edhe ato drejtshkrimore. Shumica ose të gjitha pyetjet të jenë të hapura. Mënyra e testimit duhet të jetë ndryshe ngaqë jemi mësuar ta shohim, të mos ketë numër të madh të mësimdhënësve në klasën e testimit, ashtu që lehtësisht të monitorohen. Të ipen sqarime të nevojshme. Të bëhet testimi i të gjithë mësimdhënësve pa dallim moshe. Të tregohen burimet nga ku bazohen pyetjet e formuluara, pra të jenë dokumente zyrtare nga MAShTI ose syllabueset e Fakultetit të Edukimit. Testi nuk duhet ta matë vetëm nivelin e njohurive, por mendimin kritik të mësimdhënësve. Nuk duhet të përpilohet testi duke marrë për bazë nivelin e mësimdhënësve, por duke iu qëndruar besnik standardeve dhe objektivave që duhet përmbushë e përfillë një mësimdhënës i dinjitetshëm, para se të quhet i suksesshëm. Niveli i komisionit vlerësues duhet të jetë tejet i lartë, duhet të përbëhet nga profesorët e dëshmuar universitar dhe profesionistët e arsimit, të cilët kanë bërë punime vazhdimisht përkitazi me gjendjen e arsimit në Kosovë”, shtoi tutje ai.

Sipas tij, nëse këto kritere kihen parasysh, testimi do të ofrojë një proces më produktiv mësimor, anipse, siç thotë ai, është skeptik nëse një gjë e tillë realizohet në përpikmëri.

Një çështje që e përmend Hajra janë edhe problemet kurrikulare, ku, sipas tij, duhen bërë ndryshime dhe t’i iket sa më shumë që është e mundur formalitetit.

“Ndryshimet në kurrikulë janë jetike dhe të paevitueshme. Duhet t’i kthehemi përmbajtjes, t’i ikim formalitetit. Para se të kërkojmë llogari nga një mësimdhënës për mospërgatitjen e planit mësimor, të kërkojmë llogari për pashkathtësitë e tij në shpjegimin e një ore mësimore”, përfundoi Hajra. /familjajone

Youtube

Arkiva

Kategoritë