Enj, Mar 21, 2024
Banner Top
Banner Top
Cilat janë simptomat e alergjive stinore dhe si të mbrohemi nga këto alergji – shpjegon dr. Dukagjin Zogaj

Shkruar nga: Albina Selmanaj

Stina e pranverës vie bashkë me lulet mirëpo, për disa persona kjo stinë vie me teshtitje, rrjedhje hundësh dhe simptoma tjera shqetësuese të cilat ndodhin si pasojë e alergjive stinore nga të cilat një pjesë e shoqërisë vuajnë.

Simptomat e alergjisë ndodhin gjatë periudhave të caktuara të vitit, zakonisht kur pemët, barërat dhe barërat e këqija lëshojnë grimca të vogla poleni në ajër për të fekonduar bimë të tjera.

Në një intervistë për Familjajonë, dr. Dukagjin Zogaj ka treguar rreth llojeve dhe simptomave të alergjive duke përmendur edhe alergjitë nga polenet e ndryshme.

“Ekziston një laramani shumë e madhe e alergjive, por ato mund të jenë ushqimore, medikamentoze, të kontaktit, pickimi nga insektet e ndryshme dhe alergjia e rrugëve të frymëmarrjes ku bënë pjesë alergjia nga pluhuri, lagështia, myku dhe alergjitë sezonale që janë të poleneve të ndryshme”, tregoi Zogaj.

Ndërkaq, sa i përket kohës se kur shfaqën alergjitë nga poleni, sipas dr. Zogaj periudha e tyre është e ndryshme, duke filluar nga sezoni madhor i polenëve, sezoni i hershëm dhe sezoni i vonshëm.

“Koha e alergjive është e ndryshme duke filluar nga sezoni madhor të polenëve që është pranvera, pastaj kemi sezonin e hershëm të polenëve që janë drunjtë e gjatë dhe lajmërohen nga janari dhe kemi sezonin e vonshëm që janë polenët e shkurreve apo kaçubave që lajmërohen në fund të verës dhe në fillim të verës”, shtoi Zogaj.

Sa i përket simptomave të alergjive, dr. Zogaj tha se shpesh herë mjekët që nuk merren me alergji po ashtu edhe pacientët i ngatërrojnë ato me simptomat e gripit për shkak të ngjashmërisë që kanë.

“Simptomat janë  teshtima, bllokimi i hundëve, rrjedhja e hundëve, sy të skuqur dhe lotim dhe shpesh herë këto sëmundje në faza fillestare evidentohen sikur një ftohje, mirëpo nëse këto paraqiten në të ardhmen përsëri, ekziston dyshimi që kjo nuk është një ftohje dhe pacientët duhet të bëjnë një test”, tregoi Zogaj.

Ballafaqimi me alergjitë e rrugëve të frymëmarrjes, sipas dr. Zogaj nuk është aspak i lehtë dhe kërkon punë në katër drejtime në mënyrë që të luftohet si alergji.

“Luftimi i alergjive të rrugëve të frymëmarrjes ndahet në 4 drejtime, e para është edukimi i pacientit me natyrën e sëmundjes, pra gjithmonë duhet me iu tregu që sëmundja është gjenetike, trashëguese, pastaj  janë masat e kujdesit, praktikisht ata që kanë alergji në polen duhet ta evitojnë daljen nga ora 12 deri në 4,5 mesditë sepse kur është nxehtë polenët lirohen në atmosferë dhe hynë më lehtë në kontakt me hundë, me lëkurë dhe në kontakt me syrin, rrobat duhet të thahen brenda dhe jo jasht, dritaret duhet të mbahen të mbyllura, vetëm herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje me i hap për ajrosje, pastaj 3 është terapia simptomatike dhe 4 është dhënia e disa injeksioneve, vaksinave”, shpjegoi dr. Zogaj.

Sipas një publikimi të kidshealth, alergjitë stinore mund të fillojnë pothuajse në çdo moshë, megjithëse ato zakonisht nuk zhvillohen para se fëmija të jetë 2 vjeç. Shumica e njerëzve me alergji sezonale i zhvillojnë ato në moshën 20 vjeçare.

Youtube

Arkiva

Kategoritë