Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
ALIVANOSJA

Shkruar nga Dr. Blerim MyftiuNeurolog

Elementi kryesor gjatë përpunimit të alivanosjes dhe hulumtimit të shkaqeve të saj është marrja e dëshmisë nga personi i cili ka rastisur të jetë afër personit i cili është alivanosur. Duhet pasur parasysh se jo çdo alivanosje nënkupton praninë e epilepsisë dhe se pjesa më e madhe e alivanosjeve nuk paraqesin domosdoshmërish praninë e ndonjë shkaku të rëndë në organizmin e individit në fjalë.

Nga personi i alivanosur duhet medoemos të mësojmë nëse para shkëputjes së vetëdijes ka pasur simptoma që i kanë paraprirë asaj. Një pjesë e madhe e njerëzve do të raportojnë se kanë ndier marramendje, ftohje të duarve, djersitje, dridhje të duarve e këmbëve, errësim të të parit dhe se pas pak sekondash ka ardhur deri te shkëputja e vetëdijes. Ndonjëherë ka kohë të mjaftueshme që individi të mbështetet diku apo të ulet, por shpesh ndodh që humbja e vetëdijes të humbet aq shpejt sa që këta njerëz paraqiten në emergjencë me gërvishtje, prerje apo lëndime të tjera trupore.

Kohëzgjatja e alivanosjes do të jetë me rëndësi për të gjykuar për shkakun e saj. Nëse humbja e vetëdijes ka qenë e shkurtër, disa sekondëshe dhe shumë shpejt ka ardhur deri te kthimi i vetëdijes, nëse individi ka qenë në gjendje menjëherë të krijojë kontakt me rrethin dhe ka qenë i orientuar, atëherë me gjasë do të dyshojmë që ka ardhur deri te ulja e shtypjes së gjakut, ngadalësimi i ritmit të zemrës apo ulja e sheqerit në gjak, të cilat kanë mundur shkurtimisht ta çrregullojnë furnizimin e trurit me gjak.

Në këto raste mendohet më tepër për gjendjen e ashtuquajtur “sinkopë”. Në këtë rast domosdoshmërish duhet të konsultohemi me kardiologun dhe t’i udhëzojmë pacientët për realizimin e ekzaminimeve të mëposhtme:
– Elektrokardiogrami, ekokardiografia
– Përcjellja e ritmit të zemrës dhe e tensionit të gjakut me aparatin holter për 24 orë
– Doppler ultratingulli i arterieve karotide dhe vertebrale
– Pasqyra e gjakut, hekuri në gjak, elektrolitët, funksioni i veshkave dhe i mëlçisë
– Tilt-table testi . /Familja Jone

Youtube

Arkiva

Kategoritë