Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Kontraktura kapsulare është rreziku numër një i implantit të gjirit; Ja se si kirurgët plastikë synojnë ta shmangin dhe ta trajtojnë atë

Dr. Gera Tagani  Specializante në kirurgjine plastike rikonstruktive ka nisur studimet ne mjekësine e përgjithshme në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më pas në mjekësinë e përgjithshme në Tiranë dhe në Rotterdam, Hollandë. Masterin për mjekësi estetike e ka përfunduar në Londër në vitin 2017. Angazhimin profesional e ka ndarë mes Tiranës, SHBA, Stambollit, Londrës dhe Hamburgut. Aktualisht vijon specializim e kirurgjisë plastike rikonstruktive dhe estetike.

Në një këndvështrim të pastër biologjik, trupi i njeriut endet instinktivisht mes rrjetës së indeve dhe objekteve që nuk i njeh si të vetat, p.sh implantet e gjirit dhe pajisjet e tjera mjekësore, në mënyrë që të shmangë ndërhyrës të ndryshëm nga jashtë.

Në mënyrë tipike dhe natyrale, ajo masë e krijuar mbetet e butë dhe e zhdërvjellët dhe kurrë nuk e vini re, por ajo luan rolin e një barriere midis indeve të trupit tuaj dhe trupit të huaj.

Megjithatë, ndodh që kur këto veshje krejtësisht natyrale, të pasura me kolagjen nxiten, zakonisht nga bakteret ose gjaku, të dy agjentë inflamatorë, atëherë nisin të ngurtësohen, trashen, kalcifikohen dhe/ose shtrembërojnë implantin, gjë që mund të çojë në dhimbje, fenomeni, i njohur si kontraktura kapsulare. Ajo konsiderohet të jetë rreziku numër një i implanteve të gjirit.

Çfarë e shkakton kontrakturën kapsulare?

Duke qenë se nuk kemi një përkufizim të qartë e shterues, kontraktura kapsulare besohet të ndodhë për shkak të një biofilmi ose shtrese të hollë të bakterieve, përgjithësisht bakterie që gjenden zakonisht në lëkurën tonë, të cilat formohen rreth implantit në kohën e ndërhyrjes. Trupi reagon ndaj baktereive duke rritur sasinë e formimit të indeve. Të tjerë faktorë që ndikojnë (më pak të zakonshëm) janë hematoma dhe seroma, sasi gjaku ose lëngu që grumbullohen gjatë ose pas ndërhyrjes, si edhe shkëputja e implantit ose një predispozitë e mundshme gjenetike për formimin e masës së indit agresiv.

Vlen të theksohet se nuk është e thënë që kontraktimi domosdoshmërisht do të jetë problematik, madje shtoj këtu se shpesh vetëm nivelet më të avancuara të kontraktimit kërkojnë trajtim.

Kush është më i prirur për kontrakturë kapsulare?

Historikisht, kirurgët plastikë kanë vënë re një shkallë më të lartë të kontrakturave me implantet e silikonit kundrejt atyre të kripura dhe të lëmuara si edhe atyre të teksturës, referuar statistikave të mjekëve në SHBA.

Përtej llojit të implantit, ekziston gjithashtu një marrëdhënie e ngushtë mes vendndodhjes së prerjes dhe kontrakturës kapsulare, nëpërmjet disa pikave hyrëse që janë provuar si më të sigurta se të tjerat. 

Implantet e aplikuara përmes një prerjeje të palosjes inframamare kanë rezultuar të kenë norma më të ulëta të kontrakturës kapsulare, për shkak të nivelit më të ulët të bakterieve të implantit, në krahasim me prerjet areolare ose aksilare. 

Me fjalë të tjera, lëkura e palosjes së gjirit në mënyrë tipike mbart më pak bakterie sesa ajo e sqetullës, çuditërisht dhe kompleksit thithë-areolar, i cili në fakt sekreton sasinë e duhur të bakterieve natyrore, në propocion të drejtë me atë të gjëndrave të qumështit.

Pozicioni i një implanti mund të ndikojë në shkallën e tij të rrezikut, ata që vendosen mbi muskulin e kraharorit (në atë që njihet si pozicioni prepektoral ose nën -gjëndror) janë më të rrezikuara nga kontraktura sesa implantet që janë të aplikuara nën muskul. Në të vërtetë, studimet tregojnë se vendosja e implantit pas muskujve dhe jo në krye, mund të parandalojë kontrakturën kapsulare. Arsyeja është se sa herë që përkulni muskulin tuaj gjoksor, ju në këtë mënyrë masazhoni implantin dhe duke e lëvizur atë, ju e mbani kapsulën mirë dhe në gjendje të hapur.

Ndërsa disa kirurgë rekomandojnë masazh në mënyrë rutinore të gjinjve të zmadhuar, për t’i mbajtur kapsulat të buta, nëse implanti është pas muskujve, ju në fakt po merrni ekuivalentin e një masazhi ditor sa herë që ngriheni nga shtrati ose hapni frigoriferin. Tek e fundit, ajo që ju kërkohet është të vini në lëvizje në një mënyrë apo në një tjetër muskulin tuaj gjoksor.

Gjithashtu në rrezik të shtuar të kontrakturave kapsulare janë pacientet që pinë duhan, plus kushdo që ka implante të vjetëruara, pacientë pas ristrukturimit të gjirit (pas mastektomisë), ato që kanë aplikuar rrezatim në gjoks, si edhe ato që kanë të trashëguar histori të kontrakturës kapsulare. Unë gjithmonë ua përsëris pacienteve të mia se nëse keni kaluar një herë kontrakturë kapsulare, jeni të predispozuara që ajo të përsëritet.

Si e minimizojnë kirurgët rrezikun e kontrakturës kapsulare?

Duke u angazhuar maksimalisht drejt përqasjes me teknikat më të avancuara për të zvogëluar ndotjen bakteriale dhe gjakderdhjen gjatë procedurës së zmadhimit të gjoksit, kirurgët plastikë kanë minimizuar në mënyrë dramatike incidencën e kontrakturave kapsulare. Ndër standardet tashmë të panegociueshme aseptike të kirurgjisë së gjirit: përdorimi i mburojave të thithave për të parandaluar infektimin e baktereve; kryerja e një diseksioni të butë dhe pa gjak; përgatitja e xhepit të gjirit me një zgjidhje antibiotike/antiseptike; ndryshimi i dorezave kirurgjikale pas vendosjes së çdo implanti; shmangia e një “tubi kullimi” duke përdorur Keller Funnel me anë të së cilit implanti transferohet nga kutia sterile, në mëngën e gypit steril, drejtpërdrejt tek pacienti, pa trajtim tjetër.

Në një përmbledhje të vitit 2016, të botuar në Aesthetic Surgery Journal, kirurgët vunë re një ulje prej 54% të shkallës së rioperimit për shkak të kontrakturës kapsulare në pacientët parësorë të gjirit, implantet e të cilëve u vendosën me një gyp Keller.

Mjekët e tjerë tani po vendosin implantin nën muskulin e kraharorit dhe implantet e silikonit janë të gjitha implante xheli koheziv, që do të thotë se xheli është i ndërlidhur në mënyrë të atillë, që të mos rrjedhë dhe vë në lëvizje kapsulën, dy faktorë kritikë që kanë ndihmuar në uljen e niveleve të ndërlikimeve të implantit të gjirit gjatë dekadës së fundit.

Ndërsa kontraktura kapsulare mbetet ndër rreziqet më të zakonshme të implantit të gjirit, kirurgët pajtohen në faktin se shanset për ta zhvilluar atë kanë rënë ndjeshëm, veçanërisht për pacientët e kohëve të fundit. Megjithatë nuk jemi përpara të dhënave totalisht të besueshme, kjo për faktin se të dhënat e botuara në literaturën shkencore shpesh nuk bëjnë dallim mes llojit të implantit, vendosjes së xhepit, ose vendndodhjes së prerjes, duke qenë se janë të dhëna që pasqyrojnë studimet e kryera shumë vite më parë, para se teknikat e sotme të standardeve bashkëkohore të ishin gjerësisht të miratuara ndërkombëtarisht.

Cilat janë simptomat e kontrakturës kapsulare?

Shumica e rasteve të kontrakturave kapsulare ndodhin brenda dy viteve të para pas aplikimit të implantit. 

Si fillim, pacientët mund të vërejnë një shtrëngim në gjinjtë e tyre, pa arritur akoma të vënë re ndonjë ndryshim të dallueshëm në pamjen e tyre të jashtme. Ndërsa indi i shtresë së lëkurës trashet, ai mund të shtrydhë dhe zhvendosë implantin, duke e shtyrë atë lart dhe duke shtrembëruar formën e gjirit të prekur. Gjinjtë që vuajnë nga kontraktura të plota ndihen të forcuar dhe duken të keqformuara, të anasjellta ose asimetrike. Nëse kemi të bëjmë me një gjendje të avancuar shumë, mund të bëhet shkak i dhimbjeve të forta.

A ka ndonjë mënyrë për të ndaluar dhe rikuperuar kontrakturën kapsulare?

Në fazat më të hershme po, ka mjete dhe mënyra jo kirurgjikale për parandalimin e kontrakturës kapsulare, duke përfshirë masazhimin e implanteve dhe përdorimin e medikamente të ndryshme.

Meqenëse bakteret në shumicën e rasteve janë shkaktare për gjendjen e krijuar, mund të presupozohet se antibiotikët luajnë një rol të rëndësishëm. Por kapsula është shumë avaskulare, nuk ka një furnizim të mirë me gjak, kështu që antibiotikët dhe gjërat që duhet të udhëtojnë përmes qarkullimit të gjakut nuk mund të hyjnë lehtë në kapsulë. Në vend të kësaj, kirurgët priren të mbështeten në medikamentet e astmës si Singulair, frenuesit e leukotrienit me qëllim parandalimin e procesit inflamator si pjesë përbërëse e kontraktimetve kapsulare. Këto medikamente mund të rezultojnë shumë efikase për të liruar kontrakturën e indeve të krijuar tek pacientët me implant të gjirit.

Ka patur diskutime të ndryshme në lidhje me përdorimin e ultratingujve për të ndihmuar në shpërbërjen e kontrakturave, megjithëse efikasiteti i tij është i diskutueshëm dhe është bërë shpesh shkak debati mjekësor.

Cili është trajtimi për kontrakturën kapsulare?

Duke aplikuar masazhe dhe duke përdorur medikamente në kohën e duhur, disa pacientë mund të mos avancojnë në kontrakturë më të rëndë kapsulare. 

Nëse ndodheni në fazën kur kapsulat ngurtësohen dhe kontraktura bëhet e dukshme, nuk mbetet shumë për të bërë, përveçse ta çoni pacientin përsëri në sallën e operacionit për ndërhyrjen e rradhës. Kirurgët heqin implantet dhe kapsulat në zonën përreth para se të vendosin implante të freskëta, ndonjëherë së bashku me një matricë dermale akellulare (një rrjetë kirurgjikale mbështetëse), e cila ka rezultuar të ndihmojë në uljen e përsëritjes së kontrakturës kapsulare.

Nga ana tjetër, kompanitë kryesore të prodhimit të implanteve të gjirit e dinë fare mirë se kontraktura kapsulare mund të ndodhë, kështu që të gjitha ofrojnë implante falas, për rritjen primare, për një periudhë të caktuar kohe, si dhe njëfarë shume parash për të mbuluar kostot kirurgjikale brenda dy viteve të para.

Burimi: Living

Youtube

Arkiva

Kategoritë