Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Si ndikon cilësia e gjumit në jetën tonë të përditshme?

Si mund ta përkufizojmë gjumin?

Studiues të shumtë kanë dhënë përkufizime të ndryshme në lidhje me gjumin. Por që të gjithë bien dakort kur e konsiderojnë gjumin si një gjendje rekurente, natyrale e trupit dhe mendjes, që karakterizohet nga ndryshimi i vetëdijes, frenim relativ i aktivitetit ndjesor, frenim pothuajse i plotë i muskulaturës së vullnetshme e reduktim të ndërveprimit me ambjentin. Gjumi është i pranishëm që gjatë jetës fetale por është më pak i studiuar sesa te fëmijët e porsalindur apo përgjatë linjave të zhvillimit. Po ashtu, gjumi ndryshon në grupmosha të ndryshme për nga struktura e tij si koha gjumë – zgjim, cilësia dhe mënyra e organizimit të tij e veçori të tjera.

Cili është roli i gjumit ne funksionet tona?

Është fakt që njeriu kalon ~1/3 e jetës në gjumë (8 nga 24 orë). Gjumi është një gjendje fiziologjike e rëndësishme dhe e domosdoshme për funksionimin biologjik të njeriut. Nga përvoja e seicilit prej nesh, e ndiejmë që pas gjumit zgjohemi të relaksuar e të ripërtërirë nga ngarkesa mendore e fizike e ditës më parë, të freskët dhe të gatshëm për të rinisur sërish punën e për të komunikuar nga ana sociale. Kjo ndodh sepse organizmi ynë përfiton nga kjo gjendje rikuperimi gjatë të cilës aktiviteti metabolik dhe nervor është i reduktuar. Ai ka një rol të rëndësishëm pasi gjatë gjumit kemi rritje të procesit të ndarjes qelizore si dhe sekretimin e hormonit të rritjes te njeriu. 

Nga ana tjetër gjumi shërben për rikuperimin e qarqeve nervore, të cilët gjatë gjendjes zgjuar janë aktivë. Parë kështu, mund të kuptohet pse truri ndryshe nga muskujt nuk arrin të relaksohet gjatë gjendjes zgjuar. Ai është gjithë kohën aktiv dhe i gatshëm për të vepruar; vetëm gjatë gjumit mund të shlodhet. Është studiuar gjithashtu roli i rëndësishëm i gjumit në funksionet tona njohëse komplekse duke kontribuar në procesin e përshtatjes së organizmit me kushtet e mjedisit.

Cilet janë faktorët që rregullojnë gjumin?

Ritmi gjumë – zgjim duket se rregullohet nga kombinimi i proceseve të ritmit cirkadian, që konsiston në punën e orës biologjike duke na mbajtur zgjuar, duke rritur temperaturën trupore dhe kontrollin e saj; së bashku me procesin e gjumit, që konsiston në grumbullimin e nevojës për gjumë dhe i cili shtohet në varësi të kohëzgjatjes së gjumit. 

Organizmi i njeriut ka zhvilluar orën biologjike, e cila si një matës shumë i saktë, cakton se kur flemë edhe kur zgjohemi. Ajo ndikohet nga rrotullimi i planetit rreth diellit duke shpjeguar kështu vështirësinë që ndiejmë për të përshtatur orët e gjumit me ato të zgjimit kur fluturojmë nga një kontinent në tjetrin. Ora biologjike jo vetëm përcakton ciklin gjumë – zgjim por drejton aktivititetin biokimik, hormonal, neural e qelizor të organizmit. Ritmi cirkadian vjen nga circa (rreth) e dies (ditë), d.m.th rreth ditës dhe përshkruan një cikël 24 orësh. Ritmet cirkadiane janë ritme të brendshme që janë prezente në cdo funksion të trupit. Ato ndikohen jo vetëm nga drita e diellit por edhe nga drita më të dobëta.

Cfarë ndodh me organizmin tonë nëse ne flemë më pak?

Nëse privimi i gjumit mund të jetë afatshkurtër mund të rezultojë në zvogëlim të vëmendjes dhe vigjilencës për pak sekonda që mund të shoqërohet me përgjumje si dhe ulje të reagimit ndaj ngacmuesve të jashtëm, cka mund të bëhet deri burim aksidentesh. Mosplotësimi i sasisë së nevojshme të gjumit për një kohë të gjatë mund të sjellë pasoja të rënda të trupit dhe mëndjes.

Cilat janë çrregullimet kryesore të gjumit?

Çrregullimet e gjumit janë të shpeshta. Persona të grupmoshave të ndryshëm mund të ankohen se kanë vështirësi për t’ i zënë gjumi, flenë jo mjaftueshëm, nuk bëjnë gjumë të mirë, etj. Problemet e gjumit mund të rezultojnë në manifestimin e ankthit, irritabilitetit, lodhje, ulje e vëmendjes, përqëndrimit, kujtesës, etj. Kur problemet e gjumit nuk ndodhin për shkak të sëmundjes mendore, kushteve mjekësore apo përdorimit të substancave, konsiderohen si çrregullime parësore të gjumit.  

Ato ndahen në:

– Disomnitë, të cilat janë crregullime që lidhen me sasinë, cilësinë apo ritmin e gjumit. Këtu përfshihet Insomnia (Pagjumësia), si vështirësi për të nisur procesin e gjumit apo për të fjetur gjatë. Individi bën gjumë të parehatshëm, atij i duhen më shumë se 30 min për ta zënë gjumi ose fle më pak se 5-6 orë; Hipersomnia (gjumë i shtuar), Narkolepsia (atake të parezistueshme gjumi); Çrregullimet e gjumit lidhur me procesin e frymëmarrjes (apnea), Çrregullimet lidhur me ritmin cirkadian të gjumit (përgjumje e madhe dhe pagjumësi); Disomni të paspecifikuara gjetiu.

– Parasomnitë, të cilat kanë të bëjnë me sjellje anormale apo mekanizma fizpatologjike gjatë gjumit.

Çrregullimet e gjumit mund shkaktohen edhe si pasojë e efekteve fizpatologjike që ndodhin nga një gjendje mjekësore te cikli gjumë- zgjim. Gjithashtu ato mund të shkaktohen nga përdorimi i substancave ose ndërprerjes së tyre.

A hasen çrregullimet e gjumit në çrregullimet e mëndjes dhe trurit?

Shumë prej personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, manifestojnë edhe çrregullime të gjumit si pasojë e ndikimit të mekanizmave mentalë mbi mekanizmat e gjumit. Çrregullimet e gjumit, të cilat janë ndër simptomat që hasen te këta persona, lidhen jo vetëm me kohëzgjatjen dhe sasinë e gjumit por edhe me vecoritë fiziologjike. Pagjumësia është crregullimi më i shpeshtë që haset në shumë crregullime të shëndetit mendor. 

Kërkimet sugjerojnë që jo vetëm në çrregullimet mendore si depresioni, crregullimet e ankthit, crregullimet e humorit, psikozat, crregullimet e stresit post traumës, crregullimi obsesiv-kompulsiv, etj, evidentohen çrregullime të gjumit; ato janë të pranishme edhe në sëmundjet neurologjike si Morbus Parkinson, Demenca, etj.

A ndikon stili i jetës te gjumi?

Në cilësinë e gjumit ndikojnë një sërë faktorësh ku stili i jetësës luan një rol të rëndësishëm. Tashmë dihet se përdorimi i kafeinës në orët para gjumit, alkoolit dhe substancave të tjera, aktiviteti fizik i praktikuar në cfarëdo kohe, orari i konsumimit të ushqimit para gjumit, zakonet dhe ritualet e gjumit, kushtet e parehatshme të ambjentit të gjumit, oraret e çrregullta të gjumit dhe zgjimit ndikojnë në cilësinë e gjumit. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë