Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
4,680 vaksina Pfizer arrijnë sot në Kosovë, donacion nga BE

Sot në Kosovë pritet që të arrijnë 4680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer. Këto vaksina janë pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian do t’i sjellë në Kosovë.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sot pritet të vijnë 4680 vaksina Pfizer të BE-së. Edhe gjatë javëve në vijim pritet të vijnë kontingjent deri në marrjen e të gjitha 95 000 dozave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Ndryshe, Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, kishte njoftuar se dozat e para të vaksinave do të arrijnë në Kosovë gjatë kësaj jave.

Ndërkaq, Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.

Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.

Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.

Ndryshe, edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku ditë më parë ka bërë të ditur se të mërkurën në vendin tonë do të arrijnë 5 mijë vaksina anti-COVID-19.

“Rreth 5000 vaksina arrijnë të mërkurën, e pastaj vijnë pandërprerë, deri në arritje të synimit tonë”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë e deri tani numri total i rasteve pozitive është 105.636 raste nga 541.762 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.187 raste të vdekjes.

Youtube

Arkiva

Kategoritë