Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Nxënësit iu rikthehen bankave, sërish kërkohet vaksinimi i mësimdhënësve

Nga sot nxënësit në të gjithë vendin janë kthyer në bankat shkollore. Javën e kaluar arsimi i ulët fillor (I-V) ka vijuar mësimin në objektet shkollore, kurse pjesa tjetër pati vazhduar mësimin online sipas skenarit C. Ministria e Arsimit konfirmoi se mësimi ka nisur në të gjitha shkollat e vendit, përjashtim bëjnë vetëm shkolla “Meto Bajraktari” në kryeqytet për shkak të disa rasteve me COVID dhe shkolla “Ruzhdi Quliqi” në Marali të Malishevës në të cilin po vijojnë renovimet në objekt.

Por, bankave shkollore iu kthyen sot nxënësit e shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, ku secila klasë, sikurse në të gjitha shkollat, po vazhdon të mbajë mësimin e ndarë në dy grupe.

Drejtori i shkollës, Agron Mexhuani bënë të ditur për KosovaPress se janë përgatitur paraprakisht duke marrë të gjitha masat për mbarëvajtje sa më të mirë të procesit mësimor, duke respektuar maksimalisht masat kundër pandemisë.

Kësisoj, ai thotë se është bërë dezinfektimi i shkollës dhe se posedojnë të gjitha mjetet e nevojshme për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

“Konsideroj se shkolla jonë dhe përgjithësisht shkollat janë përgatitur, para së gjithash duke nisur nga fakti se ne kemi filluar një javë më herët me ciklin e ulët apo klasat parafillore deri në klasën e pestë. Kështu që shkollat janë dezinfektuar me kohë, mjete dezinfektuese kemi pasur për arsye se Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit na e kanë mundësuar që shkollat t’i kenë pajisjet e tyre për dezinfektim. Prandaj, i kemi pompat, i kemi të gjitha. Shtëpiakët dhe punëtorët teknikë e kanë mundësuar një gjë të tillë”, thotë ai.

Ai tregon se nuk kanë pasur nevojë për pajisje shtesë, pasi shkolla posedon mjete të mjaftueshme për të filluar procesin mësimor.

“Mund të them se shkolla jonë nuk ka pasur nevojë për pajisje shtesë, konkretisht as për maska, as për dezinfektues. Ne nuk e kemi bërë një kërkesë për arsye se kemi mjete të mjaftueshme, duke nisur nga sapunët e lëngshëm, pastaj letrat e tualetit dhe të gjitha të tjerat të cilat janë të domosdoshme për ta filluar një vit shkollor”, shton Mexhuani.

Kthimit të nxënësve në bankat shkollore i është gëzuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), teksa kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe dikasteret përkatëse që të kenë prioritet vaksinimin e personelit arsimor në mënyrë që të shmanget shkuarja në mësim online.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari thotë për KosovaPress se shkollat i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për realizimin e procesit mësimor.

“Konsiderojmë se edhe pjesa tjetër e nxënësve VI-IX dhe shkollat e mesme janë kthyer suksesshëm në shkollë dhe ky është një lajm i gëzuar ngase kemi pasur sfida dhe stres se mos po zgjatet mësimi online, gjë të cilën nuk e dëshirojnë as prindërit, as mësimdhënësit sepse është vështirë për t’u realizuar. Nga informatat që kemi, shkollat kanë bërë të gjitha përgatitjet, edhe javën e kaluar kur ishte pushimi pranveror, për t’i pritur klasat I-V, dhe i kanë shtuar angazhimet që të jenë edhe më të përgatitur për kthimin e tërësishëm të nxënësve në shkollë”, thotë ai.

Vaksinimi i punëtorëve të arsimit aktualisht mbetet kërkesë kyçe e SBASHK-ut, pasi kështu Jashari beson se shmanget shkuarja në mësimin online.

“Kërkesa jonë edhe në biseda, edhe në takime me ministrat Vitia dhe Nagavci është që me kontingjentin e parë të vaksinave, prioritet të kenë punëtorët arsimit me të vetmin qëllim që ata të jenë të mbrojtur me vaksinë, me të vetmin qëllim që viti shkollor të vazhdojë në institucione arsimore e të mos të jemi të shtyrë për shkak të rritjes eventuale të numrit të të prekurve të kalojmë në mësimin online”, thekson ai.

Ministria e Arsimit konfirmoi se mësimi ka nisur në të gjitha shkollat e vendit, me përjashtim të dy prej tyre. Kështu, shkolla “Meto Bajraktari” në Prishtinë vijon mëismin sipas skenarit C për shkak se disa mësimdhënës dhe staf teknik kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, si dhe në shkollën “Ruzhdi Quliqi” në Marali të Malishevës për shkak se në objekt janë duke u kryer disa renovime.

MASHTI thotë se nga informatat që posedojnë prej terreni, shkollat janë të dezinfektuara dhe janë të pajisura me mjete anti-Covid.

“Bazuar në dhënat e siguruara nga drejtoritë komunale të arsimit, procesi mësimor ka filluar në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, me përjashtim në dy shkolla. Shfmu ‘Meto Bajraktari’ në Prishtinë ku taskforca e shkollës ka vendosur që cikli i ulët (1-5) të vazhdojë mësimin sipas skenarit A në shkollë kurse cikli i lartë 6-9 sipas skenarit C (online) për shkak se disa mësimdhënës dhe staf teknik kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Shfmu ‘Ruzhdi Quliqi’, në Marali të Malishevës është duke punuar sipas skenarit C, për shkak se në objekt janë duke u kryer disa renovime. Sipas DKA-ve, shkollat janë të dezinfektuara dhe janë të pajisura me mjete anti-Covid”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t për KosovaPress.

Ndryshe, sot pas 12 ditësh, u rihapen shkollat, gastronomia dhe qendrat tregtare në Kosovë. Qeveria në mbledhjen e së dielës vendosi që t’i zbusë masat antiCOVID-19, por u bë thirrje që masat për parandalimin e përhapjes së virusit korona të respektohen në tërësi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë