Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Moderna nis testimin e vaksinës në foshnje dhe fëmijë të vegjël

Kompania amerikane e barnave Moderna tha se ka nisur studimin e vaksinës së saj kundër coronavirusit në fëmijë të moshës gjashtëmuajshe deri në 11 vjeç.

Moderna është prodhuesi i parë amerikan që teston vaksinën e saj në foshnje.

Kompania tha se planifikon të fusë në listën e testimit rreth 6,750 fëmijë në SHBA dhe Kanada.

Rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga coronavirusi është më i vogël sesa te të rriturit, por ekziston rreziku i transmetimit – veçanërisht nga adoleshentët.

“Ky studim pediatrik do të na ndihmojë të vlerësojmë sigurinë dhe imunogjenitetin e mundshëm të vaksinës sonë në këtë popullatë më të re në moshë”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë Moderna, Stephane Bancel.

Edhe Moderna, edhe kompania tjetër amerikane Pfizer kanë nisur testimin e vaksinave të tyre kundër coronavirusit te fëmijët 12 vjeç e lart, vitin e kaluar.

Rezultatet e këtyre testimeve nuk janë publikuar ende.

Kompania britanike-suedeze, AstraZeneca, e cila po ashtu ka prodhuar vaksinë kundër koronavirusit, njoftoi se ka nisur testimet në fëmijë muajin e kaluar.

Përdorimi i vaksinës AstraZeneca te të rriturit është pezulluar në disa vende evropiane dhe të tjera, pas raporteve se disa individë kanë pësuar mpiksje gjaku pas vaksinimit.

Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me incidentet e mpiksjes së gjakut. /Rel/

Youtube

Arkiva

Kategoritë