Sht, Mar 23, 2024
Banner Top
Banner Top
Pandemia rrit abuzimin në familje në disa qytete amerikane

Raportet për dhunë në familje në të paktën katërmbëdhjetë qytete amerikane janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë COVID-19, konfirmon një studim i ri. Korrespondentja Veronica Balderas Iglesias, e Zërit të Amerikës, shqyrtoi se si virusi ka rritur rrezikun e abuzimit dhe çfarë po bëjnë viktimat dhe grupet që i ndihmojnë ata për të ndalur dhunën.

Të gjithë thonë gjithmonë, po mirë, pse ajo thjesht nuk u largua? Duhet t’i pëlqejë disi fshehurazi ky trajtim. E vërteta është se abuzimi është një cikël”, thotë një viktimë e abuzimit në familje.

“Ishte si të jetoje me një minë me sahat” – thotë një e mbijetuar e dhunës në familje, e cila nuk donte që emri i saj të përdoret, për arsye sigurie.

“Në fund arrita në një pikë ku ndjeva që nëse nuk do të lija martesën, do të isha e vdekur brenda një viti. Sepse ai do të më vriste mua, (ose) unë mund të kisha bërë vetëvrasje, ose stresi i të jetuarit në atë situatë ishte aq i rëndë sa do të sëmuresha nga kanceri ose diçka e tillë”, thotë ajo.

Por kjo ishte para pandemisë. Puna e saj me kohë të plotë në një zyrë dhe aftësia për të pasur kontakte ballë për ballë me miqtë dhe të afërmit e ndihmuan atë të dilte nga rreziku.

Tani, me COVID-19, është më e vështirë se kurrë që viktimat e abuzimit në familje të lirohen.

Shohim më shumë abuzues që përdorin COVID-in si një teknikë për t’u përpjekur të ruajnë pushtetin dhe kontrollin mbi viktimat e tyre. Kështu që, ata ose nuk lejojnë që dikush të largohet nga shtëpia dhe i kërcënojnë me: ‘nëse largoheni, nuk mund të ktheheni sepse do të keni COVID-in’, ose duke mos ua lejuar fare largimin nga shtëpia“, thotë Amanda Katz, e Koalicionit Hebre Kundër Abuzimit në Familje.

Ajo që kemi vërejtur është se kemi të njëjtin numër njerëzish, por situatat janë shumë më të rrezikshme. // Ka raste që përfshijnë mbytjen, raste që kanë të bëjnë me armë zjarri, raste që përfshijnë armë të tjera. Kemi parë një rritje në këto lloj rastesh“, thotë Thomas Manion, i Qendrës për Drejtësi në Familje, në qarkun Montgomery.

Të paktën 14 qytete kanë parë një rritje në raportet për abuzim në familje, sipas studiuesve.

Krahasuam telefonatat e bëra në polici gjatë vitit 2020 me telefonatat e bëra gjatë vitit 2019. Rritja ishte rreth 7.5% gjatë marsit, prillit dhe majit. Zbuluam se shumica e zonave dhe grupeve racore dhe grupet me të ardhura (të ngjashme) patën efekte të ngjashme. Dhe gjetëm prova të rritjeve të mëdha për familjet e reja“, thotë Emily Leslie, ekonomiste me Universitetin Brigham Young.

Ajo që i shqetëson edhe më shumë prokurorët, është se viktimat, veçanërisht të miturit, nuk mund të kërkojnë ndihmë.

Fëmijët që mund të kenë patur mundësinë të shkojnë në shkollë dhe ndoshta të raportojnë se çfarë po ndodh në shtëpinë e tyre, tani po bëjnë mësim në distancë. Pra, nuk kanë asnjë mundësi për të folur me një të rritur të besuar në shkollën e tyre, për t’i bërë të ditur se çfarë po ndodh në shtëpinë e tyre“, thotë Debbie Feinstein, e Divizionit Special të Viktimave të Qarkut Montgomery, në shtetin Merilend.

Por ndihma është ende e disponueshme.

Viktimat mund t’u telefonojnë numrave të vendosur në dispozicion. Ata mund të kërkojnë urdhra mbrojtës nga autoritetet. Dhe terapistët në organizata si “Doorways” janë në dispozicion në internet.

Ne punojmë për krijimin e një plani sigurie për të identifikuar shkaktarët, vendndodhjet e pasigurta ku partneri i tyre nxehet, zhvendosjen nga kuzhina, sepse aty mund të jenë armët“, thotë Natalie Wade, e organizatës “Doorways”.

E mbijetuara nga kjo dhunë thotë se shërimi është i mundur, por duhet guxim dhe durim për të dalë nga një cikël abuziv.

Këto situata gjejnë mënyrën për t’ju shkatërruar shpirtin. Të bën të dyshosh tek gjithçka për veten tënde. // Pra, ajo që do të thoja është të tregoheni të butë me veten. // Mos mendoni se ka diçka që nuk shkon me ju nëse keni dalë para tre muajsh dhe nuk po ecni mbi re. Duhet një kohë shumë e gjatë. Unë jam ende një punë në progres e sipër, siç jemi të gjithë”, thotë e mbijetuara nga abuzimi në familje.

Youtube

Arkiva

Kategoritë