Hën, Mar 18, 2024
Banner Top
Banner Top
Ndikimi i pandemisë COVID-19 tek gratë shtatzëna

Gratë shtatzëna janë një kategori, e cila është prekur po ashtu nga pandemia COVID-19. Një numër i madh i tyre kanë rezultuar që nuk janë imune ndaj koronavirusit.

Duku u bazuar në studime, u vërejt se pacientet shtatzëna kishin të njëjtat simptoma sikur  njerëzit e tjerë të infektuar me COVID-19: Temperaturë, kollë, diarre, dispne, simptoma atipike (humbje e nuhatjes), ose vetëm diarre pa temperaturë.

Pandemia COVID-19 në mënyrë të kuptueshme ka ndikuar në shtimin e stresit dhe ankthit te shumë shtatzëna.

Një paciente shtatzënë e cila ishte prekur me koronavirus në muajin prill ndërroi jetë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Në njoftimin e kësaj klinike thuhej se pacientja V.P., 40 vjeçe, me vendbanim në Gjakovë, ka qenë në mjekim intensiv që nga data 15 prill. Fatmirësisht në Kosovë nuk kemi pasur humbje jete të grave të tjera shtatzëna të cilat kanë qenë të infektuara me COVID-19. 

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismaili, tha për REL se për gratë shtatzëna që dyshohet se kanë koronavirus dhe për ato që diagnostikohen, është krijuar një repart i veçantë brenda Klinikës Gjinekologjike.

“Për pacientet që janë me COVID-19 kemi ndarë një repart të veçantë. Aty kryhet lindja nga ekipet e mjekëve që caktohen. Por, ajo me çka po përballemi tani, është se shumë nga gratë shtatzëna po kërkojnë të bëjnë teste, jo për shkak të simptomave që i kanë, por nga paniku”, tha Ismaili.

Gjithashtu mediat kanë një rol në këtë mes, si për mirë ashtu edhe për keq. Kjo për arsye se në shumë prej tyre raportohet pa i menduar pasojat që mund të shkaktojë tek ana shpirtërore e këtyre grave që janë në pritje për t’u bërë nëna. Paniku te shumë prej tyre rritet edhe më shumë kur atyre u vjen koha për të lindur dhe ndjejnë frikë më të madhe për të shkuar në spital si shkak i rrezikut të infektimit nga koronavirusi.

Gratë shtatzëna duhet të ndërmarrin të njëjtat veprime parandaluese të rekomanduara për të gjithë të rriturit për të shmangur infeksionin, siç janë shmangia e kontaktit të afërt me këdo që kollitet dhe teshtin, larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë ose me dezinfektues me bazë alkooli, mbulimi i gojës dhe hundës me një facoletë ose bërryl gjatë kollitjes dhe teshtitjes dhe pjekja e plotë e ushqimit të përbërë nga mishi dhe vezët.

Po ashtu gratë gjidhënëse nuk duhet të ndahen nga të porsalindurit e tyre, pasi nuk ka prova që tregojnë se viruset e frymëmarrjes mund të transmetohen përmes qumështit të gjirit, sipas UNICEF-it. Nëna mund të vazhdojë ushqyerjen e fëmijës me gji, për sa kohë që zbatohen masat preventive.

Rreth 2.8 milionë gra shtatzëna dhe të sapolindur, ose 1 person çdo 11 sekonda, vdisnin çdo vit, edhe përpara pandemisë COVID-19, kryesisht prej shkaqeve që mund të parandaloheshin.

UNICEF bën thirrje për investime të menjëhershme te punonjësit e shëndetësisë, për të garantuar që çdo nëne dhe të sapolindurve të ju ofrohet kujdes nga duar të sigurta, që parandalojnë dhe trajtojnë ndërlikimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

Youtube

Arkiva

Kategoritë