Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Cilat janë shenjat e hershme të demencës?

Demenca është një term që përshkruan një mori simptomash që mund të ndikojnë funksionet konjitive të një personi, duke përfshirë aftësinë për të menduar, memorien dhe arsyen. Demenca ka tendencë të përkeqësohet me kohën, por ka disa shenja të hershme që ajo mund të shfaq.

Ka disa lloje demencash. Sipas NIA (National Institute on Aging), më e shpeshta nga demencat është sëmundja e Alzheimer-it. Lloje të tjera janë:

– Demenca me trupat Lewy

– Demenca frontotemporale

– Çrregullimet vaskulare

– Demenca mikse ose e kombinuar

Tipikisht, janë 10 shenja të hershme të demencës. Që një person të diagnostikohet me demencë, duhet të ketë dy ose më shumë nga këto simptoma:

1. Humbje të kujtesës

Humbja e kujtesës është një simptomë e shpeshtë në demencë. Personat me demencë mund ta kenë të vështirë të kujtojnë informacione që i kanë mësuar së fundmi si data apo evente.

Shpesh ndodh që njerëzit me moshën të harrojnë, por në përgjithësi ata i kujtojnë ato në një moment të dytë nëse nuk vuajnë nga demenca.

2. Vështirësi për të bërë plane dhe për të zgjidhur probleme

Personat me demencë e kanë të vështirë të ndjekin një plan, si psh. të gatuajnë sipas një recete të caktuar gatimi ose të ndjekin udhëzime për të gjetur një adresë.

Zgjidhja e problemeve gjithashtu është një sfidë për ta, psh. përllogaritjet financiare dhe pagesat e faturave.

3. Vështirësi për të kryer detyra te thjeshta në shtëpi

Personat me demencë e kane te vështirë të kryejnë detyra të përditshme dhe të zakonshme në shtëpi, si psh. ndryshimi i programit të televizorit, përdorimi i kompjuterit, të bërit të çajit ose kafes apo gjetja e një adrese të njohur të një të afërmi. Këto vështirësi mund të ndodhin edhe në detyra të zakonshme në punë.

4. Konfuzion për kohën dhe vendin

Demenca mund të vështirësoj shumë gjykimin mbi kohën dhe vendin. Personat me demencë mund të harrojnë se ku ndodhen. Po ashtu, ata mund të shprehin vështirësi në përcaktimin e të ardhmes apo të shkuarës dhe nuk mund të kujtojnë datat.

5. Vështirësi në të kuptuarit të informacioneve vizuale 

Informacionet vizuale si tabelat rrugore mund të jenë shumë të vështira për personat me demencë. Mund të jenë të vështira për t`u lexuar, gjykuar dhe për të kuptuar diferencat në ngjyrë të tyre. Një person që nget makinën apo biçikletën mund ta ketë shumë të vështirë kuptimin dhe respektimin e tabelave rrugore.

6. Probleme me të shkruarit dhe të lexuarit

Personat me demencë mund ta kenë të vështirë të përfshihen në biseda me të tjerët. Ata harrojnë se cfarë janë duke thënë dhe çfarë po thonë të tjerët. Është shumë e vështirë për ta të hyjnë në një bisedë. 

Shpesh dhe shqiptimi I fjalëve dhe gramatika e tyre përkeqësohet. Ndryshimet vërehen edhe në shkrim, ku shpesh herë është e vështirë të kuptosh atë çfarë kanë shkruar.

7. Harrojnë ku vendosin sende të ndryshme

Personat me demencë nuk janë të aftë të kujtojnë ku kanë vendosur sende të ndryshme gjatë ditës, si psh pultin e televizorit, dokumenta të rëndësishme, paratë ose celësat.

Shpesh ndodh që për shkak të këtyre harresave ata të akuzojnë persona të tjera për vjedhje të këtyre sendeve.

8. Gjykim i dobët për vendimmarrje

Është e vështirë për dikë me demencë të kuptojë se çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme. Kjo do të thotë se ata mund të paguajnë më shumë për gjërat që blejnë ose të blejnë gjëra të cilat nuk janë të nevojshme për ta. 

Po ashtu, ata mund të kenë vështirësi në ruajtjen e higjenës personale dhe paraqitjes së jashtme.

9. Tërheqje nga jeta sociale

Një person me demencë mund të të mos jetë i interesuar për t`u shoqëruar me persona të tjerë, si në shtëpi ashtu edhe në punë. 

Ata mund të mbyllen në vetvete dhe mos të flasin dhe komunikojnë me të tjerët, ose mund të mos jenë të vëmendshëm kur të tjerët flasin me ta. Ata nuk i ndjekin më hobit e tyre dhe nuk përfshihen në sporte apo aktivitete sociale.

10. Ndryshime në personalitet dhe humor

Një person me demencë shpesh shfaq luhatje humori dhe ndryshime personaliteti. Psh. ata irritohen shumë shpejt, mund të jenë depresiv, të frikësuar dhe/ose anksioz. Ata shpesh nuk zbatojnë rregullat e miresjelljes dhe sillen në mënyrë të pa përshtatshme.

Kur duhet të konsultoheni me një mjek?

Një person i cili përjeton këto simptoma ose nëse i keni vënë re këto simptoma në të afërmit tuaj duhet të flisni me një mjek. 

Fakti që funksionimi konjitiv gjithmonë përkeqësohet me moshën është një mit. Shenjat e rënies konjitive mund të jenë shenjë e një sëmundje për të cilën mjekët mund të japin mjekim.

Edhe pse ende nuk ka një kurë për demencën, mjekët mund t`ju ndihmojnë të ngadalësojnë progresin e sëmundjes dhe të lehtësojnë simptomat, duke përmirësuar ndjeshëm cilësine e jetës. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë