Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
KOMF dënon rastet e fundit të dhunës ndaj fëmijëve

KOMF dënon rastin e fundit të përdorimit të dhunës në një ndër kopshtet e Komunës së Prishtinës dhe i bën thirrje autoriteteve të rendit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin sa më shpejt të gjitha masat dhe veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Aktualisht, pjesa dërrmuese e institucioneve parashkollore dhe programeve alternative në Kosovë nuk kanë Politikë për Mbrojtjen e Fëmijëve, për pasojë nuk kanë një sistem për parandalim dhe mbrojtje të fëmijëve e as sistem të brendshëm të reagimit dhe raportimit. Për më tepër një numër i madh i kopshteve private vazhdojnë të punojnë pa licencë duke mos ju nënshtruar procesit të monitorimit dhe inspektimit. KOMF kërkon të ndërpritet puna e të gjitha kopshteve të cilat nuk operojnë në bazë të standardeve dhe nuk kanë licencë.

Me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në institucionet parashkollore, KOMF ka kërkuar që Draft Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme i cili është në proces hartimi, të parashikojë krijimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve për institucionet parashkollore dhe ofruesit e shërbimeve të fëmijërisë së hershme e cila siguron:

♦️ Mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhimi nga kujdestarët, edukatorët, ofruesit e shërbimeve;

♦️ Krijimin e një sistemi të shpejtë dhe efektiv të reagimit dhe raportimit në rast të dyshimeve apo abuzimeve eventuale;

♦️ Ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijëve, për parandalim, reagim dhe raportim të rasteve;

♦️ Monitorimin dhe inspektimin e vazhdueshëm të institucioneve parashkollore dhe programeve për fëmijëri të hershme;

♦️ Rekrutim të sigurt të personelit që punon në institucionet arsimore;

♦️ Zbatim të parimeve të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

KOMF vlerëson se Ligji për Edukimin Parashkollor i hartuar në vitin 2006 nuk është në hap me politikat, praktikat dhe standardet sa i përket mbrojtjes së fëmijëve në institucionet parashkollore, qendrat në komunitet, qendrat ditore, qendrat për mësim shtesë etj. Legjislacioni nuk përcakton krijimin dhe zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet që punojnë më fëmijë, si mjet kyç për të siguruar ambient të sigurt dhe mbrojtës për fëmijët.

Nisur nga kjo, KOMF me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në institucionet parashkollore, organizatat jo qeveritare dhe ato fitim prurëse, ka publikuar dhe ofruar modelin e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës, si një mjet që rrit vetëdijen dhe të kuptuarit e përbashkët mbi abuzimin, si dhe krijon një sistem parandalimi, reagimi dhe mbrojtjeje për fëmijët ndaj formave të ndryshme të abuzimit. Kjo politikë ndikon në krijimin e një ambienti të sigurt dhe miqësor për fëmijët, siguron standardet më të larta të sjelljes dhe praktikës profesionale, për të garantuar që asnjë dëm në asnjë situatë, nuk do t’ju ndodhë fëmijëve gjatë përfshirjes së tyre në programet e institucioneve parashkollore dhe organizatave që punojnë me fëmijët.

KOMF i bën thirrje MASHT të përfshijë Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve në kuadër të Draft Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. KOMF i bën thirrje MASHT dhe DKA-ve të ngrenë kapacitetet e profesionistëve që punojnë në kuadër të institucioneve parashkollore dhe profesionistëve që punojnë në programe për fëmijëri të hershme. KOMF i bën thirrje Inspektoratit të Arsimit të inspektojë në vazhdimësi institucionet parashkollore dhe programet për fëmijëri të hershme.

KOMF inkurajon të gjitha organizatat qeveritare, jo qeveritare dhe organizatat fitim prurëse, të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, të hartojnë dhe të përshtatin Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, bazuar në programet dhe specifikat e tyre, për të garantuar një ambient të sigurt dhe mbrojtës për fëmijët. Krahas hartimit të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijës, rekomandohet fuqishëm të bëhet ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të personelit për zbatimin e politikës.

Gjithashtu potencojmë se dhuna është e ndaluar dhe sanksionuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Ligjin NR. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar dhe shprehimisht ndëshkimi trupor që nga viti 2019 është i ndaluar me Ligjin NR. 06/L-084, neni 38 për Mbrojtjen e Fëmijës, duke bërë kështu që Kosova të jetë shteti i 55-të në botë që ndalon ndëshkimin trupor në të gjitha ambientet.

Youtube

Arkiva

Kategoritë