Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Të mirat shëndetësore të niseshtes dhe bananes jeshile

Nëse ju pëlqejnë bananet paksa jeshile, mund të përfitoni nga to në aspektin shëndetësor.

Një studim 20-vjeçar ka zbuluar se niseshteja në bananet e papjekura mund ta zvogëlojë rrezikun e disa llojeve të kancerit me më shumë se 60 për qind.

Së bashku me bananet, kjo lloj niseshteje gjendet edhe në tërshërë, drithëra, makarona, oriz, bizele dhe fasule.

Gjatë studimit, pjesëmarrësit morën një dozë të kësaj niseshteje – të quajtur niseshte rezistente – ekuivalente me atë që do të merrnit nga ngrënia e një bananeje që nuk është tepër e pjekur dhe është ende pak e gjelbër.

Rreth 1000 pacientë me sindromën Lynch – një çrregullim i trashëguar që e rrit rrezikun e kancerit, veçanërisht në zorrën e trashë dhe rektum – e morën dozën për një mesatare prej dy vjetësh.

Studimi zbuloi se ndërkohë që niseshteja nuk ndikonte në kanceret në zorrë, ajo e zvogëloi incidencën e kancereve në pjesë të tjera të trupit me më shumë se gjysmën.

Ai kishte një efekt të veçantë në kanceret e traktit të sipërm gastrointestinal (GI), duke përfshirë kancerin e ezofagut, stomakut, traktit biliar, pankreasit dhe duodenale.

Efekti i marrjes së suplementit ishte i dukshëm për 10 vjet pasi pacientët e ndërprenë marrjen e tij.

“Ne zbuluam se niseshteja rezistente redukton një sërë kanceresh me mbi 60 për qind. Efekti ishte më i dukshëm në pjesën e sipërme të zorrëve” – tha në një deklaratë John Mathers, nutricionist në Universitetin e Neëcastle.

“Doza e përdorur në provë është e barabartë me të ngrënit e një bananeje të përditshme: para se të bëhen shumë të pjekura dhe të buta, niseshteja në banane i reziston prishjes dhe arrin në zorrë ku mund ta ndryshojë llojin e baktereve që jetojnë atje”.

Niseshteja rezistente mund të merret si një shtesë pluhuri dhe gjendet natyrshëm në bizele, fasule, tërshërë dhe ushqime të tjera me niseshte, shtoi ai.

Niseshteja rezistente i ushqen bakteret e mira të zorrëve

Niseshteja rezistente është një lloj karbohidrati që, ndryshe nga shumica e karbohidrateve, nuk tretet në zorrën e hollë.

Në vend të kësaj, fermentohet në zorrën e trashë, duke ushqyer bakteret e shëndetshme të zorrëve.

Profesor Mathers tha se ai dhe kolegët e tij mendojnë se niseshteja rezistente mund ta zvogëlojë zhvillimin e kancerit duke e reduktuar numrin e acideve biliare në zorrë që dihet se e dëmtojnë ADN-në dhe eventualisht shkaktojnë kancer. Ai paralajmëroi megjithatë se do të nevojiteshin studime të mëtejshme për të verifikuar këtë.

Profesor Tim Bishop nga Shkolla e Mjekësisë e Leeds thotë se “rezultatet janë emocionuese, por madhësia e efektit mbrojtës në traktin e sipërm gastrointestinal ishte e papritur, kështu që kërkohen kërkime të mëtejshme për të përsëritur këto gjetje.”

Hulumtimet e mëparshme të publikuara si pjesë e të njëjtës provë zbuluan se aspirina ul rrezikun e kancerit të zorrës së trashë me 50 për qind.

Studimi afatgjatë tregon se “përfitimet janë evidente

Midis viteve 1999 dhe 2005, gati 1000 pjesëmarrës në studim filluan të merrnin niseshte rezistente në formë pluhuri, ose një placebo, çdo ditë për dy vjet.

Në fund të fazës së trajtimit, nuk kishte asnjë ndryshim të përgjithshëm në incidencën e kancerit midis atyre që kishin marrë niseshte rezistente dhe atyre që nuk kishin marrë. Megjithatë, ekipi hulumtues parashikoi se çdo efekt mbrojtës do të merrte më shumë kohë për t’u zhvilluar dhe kishte projektuar studimin për përcjellje të mëtejshme.

Në periudhën pasuese, pati vetëm pesë raste të reja të kancerit të traktit gastrointestinal të sipërm midis 463 pjesëmarrësve që kishin marrë niseshte rezistente, krahasuar me 21 në mesin e 455 që ishin në placebo.

“Kur filluam studimet mbi 20 vjet më parë, menduam se njerëzit me një predispozicion gjenetik ndaj kancerit të zorrës së trashë mund të na ndihmonin të testonim nëse mund ta reduktonim rrezikun e kancerit me aspirinë ose niseshte rezistente” – tha profesori Sir John Burn, nga Universiteti i Neëcastle dhe Neëcastle Hospitals NHS Foundation Trust, të cilët bashkë-drejtuan provën në fjalë.

“Pacientët me sindromën Lynch janë me rrezik të lartë pasi kanë më shumë gjasa të zhvillojnë kancere, kështu që zbulimi se aspirina mund ta zvogëlojë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë dhe kancereve të tjera rezistente ndaj niseshtës përgjysmë është me rëndësi jetike”.

Ai vuri në dukje se bazuar në këtë provë, Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Përsosmërinë e Kujdesit në Mbretërinë e Bashkuar (NICE) tani rekomandon aspirinë për njerëzit me rrezik të lartë gjenetik të kancerit.

“Përfitimet evidente – aspirina dhe niseshteja rezistente funksionojnë” – shtoi ai./Euronews

Youtube

Arkiva

Kategoritë