Shumica e njerëzve ndihen të shqetësuar në situata të caktuara sociale, si në intervista pune apo kur janë duke dhënë ndonjë fjalim. Shumica shqetësohen se çka do të thonë apo bëjnë në situata si këto. Këto situata bëhen më të lehta me eksperiencë. Mirëpo tek personat që kanë fobi sociale (apo ankth social), këto situata janë to frikshme dhe të papërballueshme.
Ka nivele të ndryshme të fobisë sociale. Për shembull, disa njerëzve i’u shfaqen simptomat e fobisë sociale në një situatë specifike, si p.sh. kur janë duke performuar apo folur para një turme. Të tjerëve në çfarëdo rasti kur janë në publik ose reth njerëzve.
Simptomat e fobisë sociale
Njerëzit me fobi sociale përjetojnë simptoma të jashtme dhe të brendshme.
Simptomat e brendshme përfshijnë:
- Frika nga të qenit i gjykuar, turpëruar, apo refuzuar
- Ndjena se të gjithë janë duke të shikuar
- Bindja se ankthi është shenjë e të qenit i dobët
- Bindja se janë budallenjë, dhe njerëzit e tjerë janë më të mençur apo më me vetëbesim se ata.
Simptomat e jashtme përfshijnë:
- Tërheqje apo shmangie
- Skuqje
- Djersitje
- Marramendje apo vjellje
- Të dridhura
- Vështirsi në të folur apo shikimin në sy
- Rritje të të rrahurave të zemrës
Personat që kanë fobi sociale shpesh e vërejnë se frikat e tyre janë jo racionale. Megjithatë ata prapë mund të jenë të tmerruar nga situatat sociale.Gjithashtu bëjnë çmos për të evituar këto situata. Nëse shkojnë në ndonjë event, ata zakonisht ndihen nervoz para këtij eventi dhe nuk ndihen rehatshëm gjatë eventit. Pas eventit, simptomat dhe ndjenjat e pakëndëshme zgjasin pasi ata shqetësohen për atë se çfarë njerëzit menduan për ta.
Nga çka shkaktohet fobia sociale?
Fobia sociale është gati dy herë më e shpeshtë tek femrat se tek meshkujt. Shumica e njerëzve e vërejnë si fëmijë apo adoleshentë. Kjo gjendje mund të jetë gjenetike dhe të bartet në familje. Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë janë hormonet dhe vetë mjedisi. Për shembull raca, kultura, gjendja ekonomike, dhe mospërfillja mund ta rrisin rrezikun tek individi. Fobia sociale mund të krahasohet me gjendje të tjera si depresioni, çrregullime të tjera të ankthit apo varësia.
Si diagnostikohet fobia sociale?
Flisni me mjekun nëse keni simptoma të fobisë sociale. Ata do të dëshirojnë të dinë për simptomat, historinë shëndetësore, dhe historinë familjare. Për ta diagnostikuar gjendjen mjeku do të kërkojë:
- Shpeshësia e simptomave.
- Prezenca e simptomave për 6 muaj ose më shumë.
- Efektet anësore të simptomave. Për shembull, si kanë ndikuar simptomat në punë, shkollë apo jetën sociale?
Ka gjasa që mjeku të përmend Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-V). Gjithashtu ka mundësi që t’iu referojnë tek një specialist si p.sh. psikologu.
A mundet fobia sociale të parandalohet apo evitohet?
Pak mund të bëhet për ta parandaluar fobinë sociale. Mirëpo mund të marrësh trajtim për të ndihmuar në menaxhimin, pakësimin apo lehtësimin e simptomave.
Trajtimi i fobisë sociale
Fobia sociale është një çrregullim i vazhdueshëm që duhet të trajtohet me kujdes mjekësor. Është i vërtetë dhe zakonisht nuk largohet vetë. Mjeku i familjes mund t’iu ndihmojë që të gjeni mënyra për menaxhimin e simptomave.
Terapia kognitive e sjelljes ndihmon njerëzit që të mendojnë për situatat sociale në një këndvështrim tjetër. Qëllimi i terapisë është që të largojë mendimet dhe veprimet që e shkaktojnë ankthin. Kjo terapi të mëson si ta adresosh frikën, përballimin e stresit dhe t’i përmirëson aftësitë sociale. Mjeku mund të sugjerojë terapi grupore apo familjare përveq terapisë kognitive.
Medikamentet janë një formë tjetër e trajtimit. Anti-depresantët dhe benzodiazepinët janë më të shpeshtë. Beta-bllokuesit mund t’i ndihmojnë personat me një çrregullim të quajtur “ankthi i performancës”. Ato mund t’i marrësh para performancës për të ndihmuar në zvogëlimin e ankthit. Medikamentet mund të marrin pak kohë deri sa të fillojnë të tregojnë efekt. Mos e ndalo marrjen e medikamenteve pa u konsultuar me mjekun paraprakisht.
Të jetosh me fobi sociale
Fobia sociale mund ta bëjë të vështirë të shkuarit në punë, shkollë, apo marrjen pjesë në aktivitete ditore. Mund të ndikojë në aftësinë e krijimit dhe mbajtjes së shoqërisë. Nuk është gjendje me të cilën duhet të merreni vetëm. Fol me të dashurit tuaj dhe mjekun për të filluar trajtimin. Mjeku juaj duhet të monitoroj trajtimin tënd dhe përparimin.