Albina Selmanaj
Bashkë me stinën e verës vijnë edhe temperaturat e larta nga të cilat shpeshherë mund të rrezikohet shëndeti i çdo moshe.
Vetëm sot, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat maksimale parashihen të lëvizin ndërmjet 29-35 gradë Celsius.
Në një intervistë për Familjajonë, specialistja e mjekësisë familjare, Fatime Shkodra ka treguar rreth kujdesit që duhet të kemi gjatë këtyre ditëve të nxehta, duke rekomanduar që të evitohen daljet nga shtëpia nga ora 10:00 deri në ora 17:00.
“Ditët e nxehta përveç që sjellin shumë të mira kanë edhe efekte negative nga temperaturat e larta në shëndetin e popullatës. Prandaj, gjithsesi nevojitet një kujdes i veçantë për ruajtjen e shëndetit duke filluar nga evitimi i daljes nga shtëpia gjatë orës 10:00 deri në 17, veshjet të jenë të pambukut me ngjyra të hapura, të vendosen kapele, syze, të përdoren faktorë mbrojtës për lëkuren, të pihen lëngje etj”, këshilloi mjekja.
Tutje, Shkodra përshkroi edhe simptomat e të qëndruarit gjatë në diell, pjesë e të cilave janë djersitja por edhe marramendja.
“Nëse qëndrojmë gjatë në diell në temperatura të larta, mund të ndodhë goditja nga dielli, që shkakton rritjen e temperaturave të trupit, zgjerimin e enëve të gjakut, rënien e rrahjeve të zemrës të cila shoqërohen me simptomat si: djersitje, të përziera, dhimbje koke, turbullime të shikimit dhe ngërçe muskulore. Por, simptoma të shpeshta janë edhe dëmtimet e lëkurës, djegie të shkallëve të ndryshme, dehidratim nga infeksionet”, tregoi Shkodra.
Nga qëndrimi i gjatë në diell pa masa mbrojtëse të gjithë janë të rrezikuar, mirëpo sipas mjekes më të rrezikuarit nga temperaturat e larta janë foshnjat, fëmijët dhe të moshuarit.
“Më të rrezikuarit janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël kjo për shkak se metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, të moshuarit sepse ulet toleranca ndaj nxehtësisë, personat me sëmundje kronike, persona që përdorin medikamente të ndryshme, personat që punojnë në ambiente të mbyllura ose të hapura me temperatura të larta, personat që jetojnë në kate të larta, që jetojnë në kushte të vështira, persona që përdorin substanca narkotike, pije alkoolike dhe persona me aftësi të kufizuar”, tha Shkodra.
E për ta ndihmuar një person që është goditur nga dielli Shkodra sugjeroi që pacienti në fjalë të vendoset në një ambient të freskët dhe të kërkohet ndihmë nga urgjenca ose familjarë.
Ndryshe edhe IKSHPK-ja ka kërkuar nga qytetarët që të shtojnë kujdesin dhe të mos i ekspozohen temperaturave të larta, që pritet të mbretërojnë gjatë ditëve të ardhshme në Kosovë./familjajonë