Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Nënvarianti i Omicron, shkaktar i rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë

Albina Selmanaj

Para një jave raporti 24 orësh për rastet me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë shënonte në më pak se 15 të infektuar. Por, që me fillimin e kësaj jave shifrat e të infektuarve me coronavirus u rritën në mbi 100 brenda ditës.

Sipas pulmologut, Besim Morina rritja e rasteve të fundit me coronavirus është shkaktuar nga përhapja e një nënvarianti të variantit Omicorn të virusit COVID-19, nënvariant i cili sipas tij nuk ka shumë ndryshim nga të tjerët.

“Rastet e fundit ne Kosove janë si pasojë e përhapjes se një nën varianti të variantit Omikron të virusit Covid 19. Ky nënvariant nuk duket të ndryshojë shumë në krahasim me nën variantet paraprake të cilat i kemi pasur në fillim të këtij viti, si nga aftësia e lartë e shpërndarjes dhe e infektimit ashtu edhe nga simptomat dhe rrjedha klinike. “, tha Morina për familjajonë.

Tutje, Morina tregoi edhe për simptomat e këtij nënvarianti, pjesë e të cilave është kokë dhembja por edhe humbja e shijes.

“Shenjat dhe simptomat zakonisht përfshijnë kokë dhembjen, kollitjen, dhembjen e fytit, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, e dhimbje trupi”, tregoi ai.

Ndërkaq, sa i përket të hospitalizuarve, Morina tha se numri i tyre nuk ka një ngritje të dukshme dhe që asnjë nga pacientët e shtrirë në spital nuk është në gjendje të rëndë.

“Gjate ditëve të fundit kemi pare një ngritje signifikante të numrave të të infektuarve, por qe në këtë fazë kjo nuk po përkthehet me rritje të madhe të hospitalizimeve, si dhe ata që janë të hospitalizuar nuk janë në një gjendje të rëndë. “, informoi Morina.

Ndryshe, sot Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka informuar se nga 563 testime, 167 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19./ familjajonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë