Albina Selmanaj
25 Majit, për më shumë se 14 vite vazhdon t’i jepet përkushtim për ndërgjegjësimin e popullatës rreth sëmundjeve të gjëndrës tiroide. Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël e vendosur në bazën e qafës, pak mbi gjoks. Nga kjo gjëndër sekretohet hormoni i njohur si tiroksinë.
Në një intervistë për Familja jone, drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini Sadiku tregoi se në këtë vit një pjesë e endokrinologeve ishin pjesë e Kongresit Evropian të Endokrinologjisë, në Milano, të cilët po ashtu gjatë 25 majit, fokus të veçantë i kushtuan edhe komunikimit me pacientët që vuajnë nga sëmundja e gjëndrës tiroide.
“Këtë vit një pjesë e konsiderueshme e endokrinologëve në këtë datë ishim pjesë e Kongresit Evropian të Endokrinologjisë, në Milano të Italisë gjatë të cilit patëm rastin të jemi edhe pjesë aktive duke marrë pjesë edhe me një punim shkencore pikërisht për gjëndrën tiroide. Ky kongres është një prej ngjarjeve më të spikatura botërore të fushës se Endokrinologjisë. Duke qenë se sivjet temë bosht është komunikimi më i mirë me pacientët me sëmundje të tiroides, aktiviteti jonë është fokusuar në bashkëpunimin dhe komunikimin edhe më të mirë me koleget e klinikave të ndryshme të cilët po ashtu merren me sëmundje të tiroides”, tregoi ajo.
Sipas drejtoreshës Sadiku, në Kosovë nuk ka të dhëna të veçanta për numrin e të sëmurëve me gjëndrën tiroide, mirëpo sipas saj rastet tani janë më të shpeshta, duke e bazuar këtë në ndërgjegjësimin më të madh të popullatës rreth kësaj sëmundje.
“Në Kosovë nuk ka të dhëna të veçanta sa i përket numrit të të sëmurëve me sëmundje të tiroides. Sot sëmundjet e tiroides janë më të shpeshta duke u bazuar në ndërgjegjësimin më të madh të popullatës dhe stafit mjekësorë që më herët i identifikojnë këto shqetësime dhe i referojnë rastet tek ne, endokrinologët. Ne përgjithësi, sëmundjet e tiroides nuk zgjedhin moshë e gjini, edhe pse, femrat janë ato qe atakohen me shume nga sëmundjet e tiroides ne krahasim me meshkujt. Më të dhimbshme janë rastet, që fatmirësisht janë të rralla, kur fëmijët lindin pa gjëndër tiroide dhe nuk diagnostikohen me kohe. Mjekimi me hormone te tiroides tek këto foshnje është urgjent sepse në të kundërtën pëson zhvillimi i trurit duke shkaktuar retardime të rënda mendore.”, tha ajo për familjajonë.
Ndërkaq, sa i përket kushteve për trajtimin e kësaj sëmundje në Kosovë, Sadiku tha se në vend ofrohen të gjitha kushtet për diagnostikim dhe trajtim e saj, përveç se mungon trajtimi me radio jod terapi.
“Në vendin tone qoftë në sektorin publik siç janë spitalet regjionale si dhe Kliniken e Endokrinologjisë, ofrohen të gjitha kushtet për diagnostikim dhe trajtim të mirëfilltë profesional te të gjitha sëmundjeve te gjëndrës tiroide, përveç mungesës së trajtimit me radio jod terapi pas operimit të kancerëve specifik të tiroides. Gjithashtu edhe ne sektorin privat ofrohet te gjitha kushtet për trajtimin e sëmundjeve te tiroides.”, tregoi ajo.
Tutje, drejtoresha tha se sëmundjet e tiroides janë ndër shkaktarët kryesor të infertilitetit, andaj pacientet duhet kontrolluar me kohë te endokrinologët për evitimin e këtij problemi që shkakton kjo sëmundje.
“Nga te gjitha sëmundjet e tiroides me e shpeshte është hipotireoza dhe në veçanti hipotireoza me origjine autoimmune që ndryshe njihet tiroiditi kronik Hashimoto. Aktualisht sëmundjet e tiroides janë shkaktarët kryesorë të infertilitetit (pamundësisë së mbetjes shtatzënë) atëherë kur shkaktarët gjinekologjik janë përjashtuar.”, përfundoi ajo.
Ndryshe, femrat kanë 10 herë më shumë shanse për të zhvilluar probleme me tiroiden në krahasim me meshkujt. Gjendra tiroide midis të tjerash rregullon temperaturën e trupit, metabolizmin, rrahjet e zemrës.