Këtë të shtunë në emisionin “Familja Jonë”, ishte e ftuar psikologia, Ibelinda Halili me të cilën u fol rreth krijimit të shprehive për mirëmbajtjen e higjienës orale te fëmijët dhe se sa është i vështirë ky proces.
Psikologia Halili, tha se krijimi i një shprehie te fëmijët nuk është i lehtë, andaj prindërit duhet të tregohen konsistentë dhe ta fillojnë higjienën te ta si shprehi që nga momenti i lindjes.
“Fillimisht për të krijuar një shprehi duhet pasur një konsistencë, do të thotë prindërit duhet të jenë konsistent në atë se çfarë e kërkojnë nëse fëmija reziston për të ndërtuar një shprehi sepse është e vështirë të krijohet shprehia, shprehitë duhet të fillojnë të ndërtohen që nga momenti kur fëmija vie në jetë, edhe higjiena orale fillon nga mënyra se si e ushqejmë fëmijën, kjo vazhdon edhe pas moshës 6 muaj”, shpjegoi psikologia Halili.
Tutje, Halili shpjegoi edhe mënyrën se si duhet krijuar higjiena orale si shprehi te fëmijët, e cila fillimisht duhet të mësohet nga prindërit dhe e gjithë familja, duke i treguar fëmijës mënyrat e të pastruarit hapë pas hapi.
“Duke e parë prindërit që e mbajnë higjienën orale çdo mbrëmje e dhe çdo mëngjes, duhet me i pastru dhëmbët e gjithë familja dhe pa fëmija, nëse heziton me babin duhet me provu me nënën, varësisht me cilin i ka mësuar shprehitë, e rëndësishme është që të dytë ta bëjnë. Pastaj duke ja bërë spontane dhe të dëshirueshme këtë pjesë, duke luajtur me brushë duke ia shpjeguar mirë pse duhet pastruar dhëmbët dhe video të vogla edukuese”, tregoi ajo.
Ndërkaq, sa i përket lojërave që duhet përdorur për ta ndihmuar fëmijën që të kuptoj higjienën orale më qartë dhe ta krijojë atë si shprehi psikologia jep detaje tutje në intervistën e plotë të cilën mund ta gjeni në faqen zyrtare të familjajonë në facebook dhe youtube.