Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Sot mbahet grevë njëorëshe në arsim

Mësimdhënësit sot në të gjithë vendin do të hyjnë në grevë njëorëshe.

Kështu ka njoftuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.

Sipas Sindikatës, orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.

Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Rraham Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, në një deklaratë për KP ka thënë se greva e sotme është paralajmëruese, ndërsa ka shtuar që më 20 maj do të ketë një protestë të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

“Duke e parë që nuk ka pas asnjë lëvizje konkrete, asnjë takim konkret, asnjë veprim i duhur i Qeverisë, këshilli drejtues (i SBASHK-ut) aprovoi vendimin edhe një herë të Kongresit dhe vendosi që më 12 maj të jetë një grevë paralajmëruese njëorëshe në terë sistemin arsimor. Por, në këtë grevën njëorëshe kemi informacione se do të jenë edhe sektorët e tjerë dhe sindikatat që janë pjesë e BSPK-së. Ndërsa sa i takon sektorit të arsimit, ne e kemi bërë edhe planin, orarin.

Marrëveshjet me çerdhet, kanë thënë që meqenëse në Prishtinë fillojnë punën në 06:30, do të jenë në grevë nga 06:30 deri në 07:30 të enjten dhe pastaj do të vazhdojnë punën në kushte normale. Shkollat fillore dhe të mesme, varësisht a fillojnë në 07:30 apo në 08:00, dihet që ora e parë e mësimit paradite dhe pasdite do të jenë në grevë, kurse në marrëveshje me universitetet tjera të Republikës së Kosovës janë marrë vesh që greva njëorëshe të jetë të enjten nga ora 10:00 deri në 11:00, me arsyetimin se në atë kohë ka lëvizje më të mëdha sepse universitetet po duan të tregojnë, të hetohet që ka grevë”, deklaroi Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut u shpreh se nëse Qeveria e Kosovës vazhdon të mos plotësojë kërkesat e tyre edhe pas 20 majit, atëherë do të detyrohen të hyjnë në grevë në deri në realizimin e tyre.

Jasharaj ka kërkuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkolla me një orë vonesë për hir të sigurisë së nxënësve. /Telegrafi/

Youtube

Arkiva

Kategoritë