Në 11 vende të botës janë identifikuar 169 raste të hepatitit akut të panjohur tek fëmijët nga një muaj deri në 16 vjeç.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri me tani një fëmijë i prekur nga kjo sëmundje ka humbur jetën, ndërsa 17 të tjerë kanë kërkuar transplantin e mëlçisë.
“Adenovirusi është një hipotezë e mundshme, por hetimet janë duke vazhduar për të gjetur shkakun e kësaj sëmundjeje”, thotë OBSH
Sipas OBSH-së, shumica e rasteve të raportuara tregojnë se fëmijët nuk kishin ethe dhe viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral, si viruset e hepatitit A, B, C, D dhe E, nuk janë zbuluar në asnjë nga këto raste.
Që nga fillimi i vitit, të paktën 111 fëmijë janë identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar me inflamacion akut të mëlçisë që nuk duket të jetë shkaktuar nga grupi i viruseve të hepatitit që do të kishte qenë një shkaktar më i mundshëm. Ndërsa, 13 raste janë konfirmuar në Spanjë, 12 në Izrael, nëntë në Shtetet e Bashkuara dhe një numër më i vogël rastesh të konfirmuara në Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë, njofton CNN.
Ndryshe, hepatiti është inflamacion i mëlçisë, një organ jetik që përpunon lëndët ushqyese, filtron gjakun dhe ndihmon në luftimin e infeksioneve.