Në Kosovë 27 Prilli është Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit e mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 21 viteve.
Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, para 21 viteve, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës.