Në përzgjedhjen e drejtorëve të rinj të gjashtë Klinikave në Qendrën Universitare të Kosovës, atë të Radiologjisë, të Kirurgjisë së Fëmijëve, Onkologjisë, Neurologjisë, e Psikiatrisë dhe ORL-së po vlerësohet se ka pasur parregullsi e ndërhyrje nga politika.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ka marrë shumë ankesa se ka pasur ndërhyrjen nga Qeveria për përzgjedhjen e drejtorëve të rinj të klinikave.
Zemaj shtoi se kjo ka krijuar pakënaqësi dhe klimë mosbesimi ndërmjet kolegëve që janë tërhequr nga gara, e disa prej tyre nuk kanë aplikuar fare shkaku i ndërhyrjes direkte nga politika.
“Kemi marrë shumë ankesa në përzgjedhjen e drejtorëve të ri. Kemi parë edhe ankesa mediale në kuptimin e ndërhyrjeve që kanë ndodhur nga bordi i shërbimit spitalor të cilët janë të emëruar drejtpërdrejtë nga Qeveria e cila i ka lënë shije të keqe këtij procesi dhe ka krijuar edhe pakënaqësi dhe një klimë mosbesimi ndërmjet kolegëve aty që janë tërhequr nga gara dhe disa janë eliminuar”.
“E disa nuk kanë aplikuar për këto arsye duke parë që ka tendencë të ndërhyrjeve politike direkte edhe pse mund të jenë profesionistë të çmuar, por kur ndërhyn nga jashtë dhe kur ka ndërhyrje nga menaxhmenti i lartë atëherë krijohen situata konfliktuoze dhe të cilat në të ardhmen krijojnë një mosbesim në menaxhim të klinikave sidomos edhe të spitaleve rajonale”.
Tutje, Zemaj theksoi se brenda kësaj jave do të dorëzojnë në Kuvend për miratim Ligjin për shëndetësi, raporton EO.
“Besojmë që brenda kësaj jave do ta dorëzojmë Ligjin për shëndetësi që është ligj burimor dhe që rregullon sistemin dhe i eliminon këto defekte. Atëherë duhet të ketë edhe Ligjin për sigurime shëndetësore por edhe Ligjin për transplantimin e organeve dhe ligje tjera që derivojnë nga Ligji i ri për shëndetësi”, tha ai./EO