Shkruar nga: Albina Selmanaj
Sot, 24 Marsi është Dita Botërore e Tuberkulozit, ditë e cila është caktuar për të ngritur vetëdijesimin publik rreth kësaj sëmundje. Tuberkulozi është sëmundje infektive dhe ngjitëse e shkaktuar nga bakteret ngadalë-zhvilluese që zhvillohen më së miri në vende të trupit ku ka shumë gjak dhe oksigjen.
Forma më e përhapur është tuberkulozi i mushkërive (rreth 70%). Forma të tjera si p.sh. tuberkulozi i gjëndrave limfatike ose i kockave nuk janë ngjitëse, ndërkaq rreziku i ngjitjes së sëmundjes (infektimit) ekziston vetëm nëse keni kontakt me një person me tuberkuloz mushkërish ngjitës
Në një intervistë për Familjajonë, dr. Arieta Rudi Pula ka treguar më shumë rreth kësaj sëmundje dhe simptomave të saj, pjesë e të cilave janë edhe gjurmët e gjakut që nxirren nga kolli.
“Njohja me simptomat e tuberkulozit është thelbësore për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, çdo njeri mund të sëmuret nga tuberkulozi. Simptomat e tuberkulozit janë kollitje e afatgjate e thatë apo me këlbaz, temperaturë e lartë, djersitje gjatë natës, lodhje, humbje në peshë, humbje në peshë, dhimbje gjoksi, frymëmarrje e vështirësuar, gjurmë të mëvonshme të gjakut që nxirren nga kolli” tha Rudi
Ndërkaq sipas doktoreshës personat që janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë pleqtë dhe fëmijët kjo sepse ata kanë sistem më të dobët imunologjik.
“ Ata më rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundjen e tuberkulozit janë ata që janë në kontakt të vazhdueshëm me të sëmurit nga TB, pastaj personat me sistem të dobët imunologjik si psh. Foshnjat, fëmijët, pleqtë, të sëmurët nga diabeti, kanceri, veshkat dhe narkomanët”, shtoi Rudi
Kjo sëmundje sipas doktoreshës mund të parandalohet nëse vizitojmë doktorin në fazat e hershme dhe nëse zhvillojmë një jetë të shëndetshme.
“ Tuberkulozi mund të parandalohet, mjekohet dhe shërohet, duke filluar nga lajmërimi sa më i hershëm te mjeku nëse kemi shenjat e përmendura, ndërkaq nëse jeni diagnostikuar me tuberkuloz duhet të i nënshtrohemi mjekimit të plotë, të ajrosni dhomën, të krijoni një stil të shëndosh të jetesës, ushqim të mirë dhe të rregullt, të qëndroni sa më shumë në ajër të pastër edhe këto hyn në parandalimin e tuberkulozit. Këtu bënë pjesë edhe vaksinimi i të porsalindurve me vaksinën kundër tuberkulozit dhe gjithmonë të respektoni kërkesat e mjekut”, tregoi ajo
Sa i përket trajtimit të sëmundjes së tuberkulozit Rudi tha se kjo procedurë zgjatë 6 muaj , sipas saj ky trajtim duhet të kompletohet sepse ndryshe rrezikohemi nga infektimi me tuberkuloz të pashërueshëm nga barnat.
“Zbulimi me kohë i kësaj sëmundje mund të parandalojë përhapjen e infektimit, mjekimit të tuberkulozit duhet të kushtohet kujdes, që nga zbulimi i sëmundjes mjekimi zgjatë 6 muaj dhe bëhet me kombinimin e barnave antituberkular, në fazën intensive mjekimi zgjatë dy muaj me 4 antituberkular dhe pastaj është faza e vazhdimësisë që zgjatë katër muaj me dy antituberkular. Pas disa javëve të mjekimit pacienti ndihet më mirë dhe nuk ka mundësi të përhap sëmundjen te njerëzit e tjerë. Është e rëndësishme që mjekimi të vazhdojë deri në fund sepse mos kompletimi i terapisë ka shumë pasoja sepse nëse nuk merren barnat në mënyrë të rregullt atëherë do të jetë i pamundur shërimi i tuberkulozit”, shpjegoi doktoresha Rudi
Doktoresha po ashtu kërkojë që kjo sëmundje të trajtohet në kohë dhe me kujdes sepse ka rëndësi për shëndetin dhe mirëqenien e të sëmurëve me tuberkuloz dhe familjarëve të tyre.
“Tbc mbetet sfide e sistemit shëndetësor në gjithë botën, pavarësisht se sa burime te rëndësishme janë përdor për ta luftuar atë gjatë shekujve ende nuk është arrit që të asgjësohet, qasja universale në diagnostikim, trajtim në kohë, kujdes cilësor për të gjitha format e tbc ose për sëmundjen e tbc ka rendësin për shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve me tuberkuloz dhe familjeve të tyre.” këshilloi Rudi
Arsyeja se pse 24 marsi përkujton ditën e tuberkulozit është sepse me të njëjtën datë në vitin 1882 Dr. Robert Koch kishte sho kuar komunitetin shkencor duke shpallur se kishte zbuluar shkakun e tuberkulozit, TBC bacillus. Në kohën kur Dr. Koch bëri shpalljen në Berlin, tuberkulozi ishte duke bërë kërdi nëpër Evropë dhe Amerikë duke shkaktuar vdekjen e një prej shtat njerëzve.