Dhuna në shkolla mbetet një dukuri shqetësuese në vend. Plagosjet me thikë e deri tek akti më i rëndë, i marrjes së jetës, janë raportuar së fundmi. Prania e psikologut në institucione arsimore konsiderohet se mund të ndikonte në uljen e këtyre rasteve. Prindërit mendojnë se janë të domosdoshëm psikologët, ndërsa komunat, në mungesë të mjeteve, thonë se kanë pak psikologë të angazhuar.
Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi, në një prononcim për KosovaPress, thotë se pas pandemisë është rritur numri i nxënësve të cilët kanë shfaqur elemente të dhunës.
“Sidomos pas shfaqjes së pandemisë, prej dy vjetësh e këtej nuk është më çështje nevoje, por është e domosdoshmërie prezenca e psikologut në shkollë. Numri i nxënësve që shfaqin elemente të dhunës apo edhe të çrregullimit në kuptimin e mbajtjes së disiplinës në shkolla, është rritur numri i raportimeve shumë gjatë kësaj periudhe. Andaj që të kemi mundësinë e trajtimit të tyre në kohë, dhe që të mund ta parandalojmë dhe të mos zgjerohet më tutje shfaqja e këtyre çrregullimeve që mund të jenë momenti apo afatgjate, është domosdoshmëri e prezencës së psikologëve nëpër shkolla, gjë që ne vazhdimisht e kemi kërkuar”, u shpreh Demi.
Demi deklaroi se edhe ato shkolla që kanë psikologë nuk i kanë me orar të plotë, ndërsa është kundër që dikush tjetër që angazhohet për punë të tjera në shkollë të bëjë rolin e psikologut.
“Ne kemi kërkuar që psikologët të jenë çdo ditë nëpër shkolla. Shumica për të mos thënë asnjë shkollë, nuk jemi të informuar që ka psikologë me prezencë të plotë gjatë gjithë kohës në shkolla, dhe se ka detyrë të vetme çështjes së ruajtjes, kujdesit, mirëmbajtjes e shëndetit mental të fëmijëve dhe trajtimit të çështjeve, problemit që dalin brenda shkollave…Kur ka raste kur dikush e kryen detyrën e psikologut, ai ka edhe detyra të tjera administrative, ia vështirëson mundësin për të realizuar në kohë të gjitha kërkesat që mund t’i kem brenda shkollës. Pra, ekziston mungesë e dukshme dhe nuk kemi asnjë shkollë me prezencë të plotë të psikologut”, tha Demi.
Komuna e Fushë Kosovës, e cila viteve të fundit ka një rritje të numrit të nxënësve, aktualisht ka vetëm dy psikologë të angazhuar dhe atë përmes projekteve të jashtme.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Samir Shahini, u shpreh se kanë edhe mungesë të mësimdhënësve, prandaj i detyro