Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Dita Botërore e Veshkës

Dita Botërore e Veshkës World Kidney Day është ngjarja më e njohur në botë që fokusohet në rëndësinë e shëndetit të veshkave. Kjo ditë shënohet çdo vit të enjten e dytë të marsit, në më shumë se 200 vende të botës në të gjitha kontinentet.

Sëmundjet e veshkave janë sëmundje jongjitëse që aktualisht prekin mbi 850 milion njerëz në mbarë botën. Një nga dhjetë të rritur ka një formë të sëmundjes kronike të veshkave. Në nivel global, SKV (Sëmundja kronike e veshkave) rritet çdo vit dhe parashikohet se në vitin 2040 do të jetë sëmundja e pestë si shkak i vdekshmërisë nga viti në vit.

Dializa është metoda më e zakonshme për trajtimin e fazës përfundimtare të sëmundjes së veshkave, kur të dy veshkat nuk mund të kryejnë më funksionet që janë jetike për trupin. 1600 njerëz vazhdojnë jetën e tyre çdo të dytën ditë falë dializës.  Ata kalojnë 4-5 orë në një qendër dialize ku gjaku pastrohet nga të gjitha helmet dhe uji i tepërt nga trupi me ndihmën e aparatit të dializës. Trajtimi me dializë është i rëndë dhe rraskapitës për pacientët. Sidomos ngaqë pacienti duhet të përshtatet me një rutinë të re të jetës dhe të ndryshojë shumë nga aktivitetet dhe zakonet e veta, duke mësuar që të jetojë me kufizime të shumta. Vizitat e dializës janë të fiksuara, të shpeshta, zgjasin shumë dhe nuk duhet të humben. Çdo të dytën ditë pacienti në dializë “blen” kohë për të jetuar, duke u dializuar 4 – 5 orë për t’i shtuar jetës edhe 48 orë të tjera.

Megjithëse metoda më optimale e trajtimit të sëmundjes së veshkave është transplantimi i veshkave, në vendin tonë nuk përdoret sa duhet. Transplantimi i veshkave nga një donator i gjallë ose nga një kufomë është procedurë komplekse mjekësore, ku në trupin e personit të sëmurë “mbillet” organi nga një person tjetër. Donatori mund të jetë anëtar i familjes ose një i panjohur, kur me “dhurim organesh” trupat e personave të vdekur me vdekje klinike transplantohen në trupin e të tjerëve për t’u shpëtuar jetën.

Sëmundja kronike e veshkave (SKV) është një sëmundje e rrezikshme dhe e heshtur që më shpesh diagnostikohet vonë. Sëmundjet e veshkave mund të parandalohen dhe të trajtohen nëse zbulohen në kohë. Me diagnozën në kohë dhe trajtimin adekuat mund të shtyhet ose shmanget ardhja e fazës së pestë dhe përfundimtare të sëmundjes. Prandaj i bëjmë thirrje çdo personi që të paktën një herë në vit të kontrollojë funksionin e veshkave. Ajo kryhet përmes testeve të thjeshta të gjakut dhe urinës (matja e vlerave të uresë dhe kreatininës). Ky kontroll mund të bëhet nga mjeku amë përmes analizave në çdo laborator. Vlera e kreatininës në botë deri më tani është treguar të jetë shënuesi më i mirë për matjen e funksionit të veshkave.

Youtube

Arkiva

Kategoritë