Ministri i Shëndetësisë, dr. Rifat Latifi, me bashkëpunëtorë, vizitoi sot Agjencionin Kosovar për Pajisje dhe Produkte Medicinale të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Latifi u njoftua nga Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të AKPPM-së, z. Arian Ahmeti dhe udhëheqës të departamenteve të agjencionit për punën në këtë agjencion, sfidat dhe nevojat, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës përmes përmbushjes së rolit dhe përgjegjësive në fushën e rregullimit të sektorit farmaceutik në Kosovë.
Ministri Latifi theksoi se roli i agjencionit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të garantimit të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të produkteve medicinale që qarkullojnë dhe përdoren në Kosovë.